Volejboll për meshkuj, kuqezinjtë bien me tri sete edhe kundër Danimarkës
Shqipëria e volejbollit të meshkujve ka shënuar humbjen e pestë në po kaq ndeshje të zhvilluara në fazën e grupeve të Ligës së Europës 2026. Skuadra e Jani Melkës u mposht dje nga Danimarka me rezultatin 0-3, takim i luajtur në sallën “Feti Borova” në Tiranë, aty ku po mbahet me grumbullim turneu nr.22 i eventit.

Danezët nuk e patën të vështirë të gjenin fitoren dhe 3 pikët përballë një Shqipërie që në këtë kompeticion shënonte rikthimin në arenën ndërkombëtare pas një mungesë prej më shumë se 4 vitesh. Në të tria setet epërsia e danezëve ishte e dukshme, të cilët i mbyllën llogaritë e takimit në harkun kohor të 83 minutave.
Pas një ekuilibri fillestar në pikët e para, Danimarka vendosi distanca sigurie në pikë, duke e marrë setin e parë në shifrat 17-25. I dyti u hap me 2 pikët e para të kuqezinjve, por miqtë reaguan menjëherë, duke përmbysur dhe krijuar shkëputje, për ta fituar setin 18-25. Me gjithë dëshirën e madhe, Shqipëria ishte e pafuqishme për të reaguar, ndërsa danezët e kontrolluan pa shumë probleme edhe fraksionin e tretë të ndeshjes, për të fituar 25-21, duke fiksuar fitoren 0-3.
Lojtari i ndeshjes u shpall Mads Kyed Jensen, protagonist me 18 pikë Danimarkën, mbështetur nga Oskar Madsen me 14 pikë. Për Shqipërinë në dopioshifër pikësh mbërritën Anton Qaferana, autor i 12 pikëve dhe Raul Sabliqi me 10 pikë. Fundjava e volejbollit europian në “Feti Borova” do të vijojë sot me takimin mes Rumanisë dhe Danimarkës në orën 19:00, ndërsa të dielën në të njëjtën orë, Shqipëria luan ndeshjen e fundit kundër rumunëve.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













