EKSKLUZIVE/ Largimet nga Partizani, tre futbollistë të tjerë me “valixhe në duar” te kryeqytetasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2026 | 8:58

EKSKLUZIVE/ Largimet nga Partizani, tre futbollistë të tjerë me “valixhe në duar” te kryeqytetasit

Partizani vijon punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri, ndërsa paralelisht me emërimin e trajnerit të ri dhe afrimet e mundshme në merkato, drejtuesit po analizojnë me kujdes edhe situatën e futbollistëve që mund të largohen nga klubi gjatë kësaj vere. Deri në këtë moment, tre janë largimet e konfirmuara nga kampi i kuq. Bëhet fjalë për Carlos Martinez, Amos Nondi dhe Vusal Isgandarlin.

partizani

Tre futbollistë që kanë pasur rolin e tyre në skuadër, por që nuk do të jenë pjesë e projektit të ri që po ndërtohet për sezonin e ardhshëm. Sigurisht, largimi me peshën më të madhe mbetet ai i Vusal Isgandarlit. Futbollisti nga Azerbajxhani ishte golashënuesi më i mirë i Partizanit në kampionatin e fundit me gjashtë gola dhe në shumë momente mori përsipër përgjegjësi në repartin ofensiv. Pikërisht për këtë arsye, zëvendësimi i tij shihet si një nga prioritetet kryesore të merkatos së verës. Aktualisht, të kuqtë kanë nevojë për më shumë alternativa në krahët e sulmit dhe kjo është një nga detyrat që i pret drejtuesit në javët e ardhshme.

LARGIMET E MUNDSHME- Megjithatë, merkatoja në dalje nuk duket se do të ndalet vetëm te tre futbollistët e larguar deri tani. Ka edhe disa emra të tjerë që mbeten në qendër të vëmendjes dhe për të cilët mund të ketë zhvillime gjatë verës. Njëri prej tyre është Adnard Mehmeti. Futbollisti vazhdon të jetë pjesë e organikës së Partizanit, por e ardhmja e tij mbetet për t’u vlerësuar. Shumë do të varet nga planet e trajnerit të ri dhe nga hapësirat që ai do të ketë në skuadër. Një tjetër zhvillim interesant është ai i Diego Kontrerasit.

Sulmuesi kolumbian ishte një nga zbulimet më të bukura të sezonit të kaluar dhe një nga futbollistët që fi toi më shumë pikë në sytë e tifozëve. Kontreras u bë pjesë e ekipit të parë falë besimit që mori nga ish-trajneri Oltijon Kernaja. Tekniku i dha hapësirë sulmuesit që vinte nga ekipi B dhe lojtari arriti ta shpërblente atë besim me paraqitje pozitive. Me kalimin e javëve, Kontreras tregoi se kishte nuhatje për golin, lëvizje inteligjente në zonë dhe aftësi për të krijuar probleme për mbrojtjet kundërshtare.

Paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re as jashtë Shqipërisë. Disa klube kanë shfaqur interes për sulmuesin dhe nuk përjashtohet mundësia që gjatë kësaj vere të mbërrijnë oferta konkrete për kartonin e tij. Megjithatë, Partizani nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga një futbollist që ka treguar potencial për t’u rritur edhe më shumë. Një detaj i rëndësishëm është fakti se Kontreras ka ende kontratë me klubin.

Kjo i jep Partizanit kontroll të plotë mbi situatën dhe një pozicion të favorshëm në çdo negociatë. Drejtuesit janë të bindur se në rast largimi duhet të përfitojnë edhe financiarisht. Për këtë arsye, nuk do të pranohet çdo ofertë që mund të vijë në adresë të klubit. Nëse nuk mbërrin propozimi i duhur ekonomik, atëherë sulmuesi pritet të vazhdojë normalisht me fanellën e kuqe edhe në sezonin e ardhshëm.

MBROJTËSI- Një tjetër emër që mund të sjellë zhvillime është ai i Altin Bytyçit. Mbrojtësi ka qenë një nga futbollistët më të qëndrueshëm të skuadrës në sezonet e fundit dhe një nga pikat më të forta të repartit defensiv. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve jashtë vendit dhe interesimi për të vazhdon të ekzistojë. Vetë lojtari shihet si një futbollist që mund të provojë një eksperiencë të re në karrierë, ndërsa edhe Partizani është i vetëdijshëm për vlerën që ai ka në treg.

Në rast se vjen një ofertë e rëndësishme, palët mund të gjejnë një zgjidhje që do të ishte në interesin e të gjithëve. Nuk është rastësi që drejtuesit po mendojnë edhe për afrimin e një qendërmbrojtësi të ri gjatë merkatos së verës. Kjo lëvizje mund të shërbejë si një masë paraprake në rast se Bytyçi largohet gjatë javëve të ardhshme. Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë vendim përfundimtar dhe mbrojtësi vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e projektit sportiv.

SHKRIMIN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL