Ferrari “tremb” rivalët, në Austri me motor të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2026 | 9:39

Ferrari “tremb” rivalët, në Austri me motor të ri

Çështja ADUO” nuk po mban pezull vetëm Mercedesin dhe Red Bullin, pasi tashmë edhe Ferrari ka hyrë fuqishëm në skenë. ADUO është një “mundësi rikthimi” për prodhuesit e motorëve që mbeten prapa rivalëve. Nëse një motor rezulton dukshëm më i dobët se motori më i mirë në kampionat, FIA mund t’i japë atij prodhuesi të drejtën për të zhvilluar dhe përmirësuar motorin edhe gjatë sezonit, duke pasur më shumë liri financiare dhe teknike sesa lejojnë rregullat normale.

Screenshot 2026-06-20 093906

Ekipi nga Maranelo po pret vetëm miratimin zyrtar nga FIA për të hedhur në pistën e “Red Bull Ring” në Austri njësinë e tretë të fuqisë, motorin 067/6, të pajisur me modifikimet ekstreme që lejon ky sistem i ri zhvillimi. Objektivi është i qartë, të zvogëlojë përfundimisht diferencën e fuqisë me motorin dominues të Mercedesit. Për ta arritur këtë, departamenti i drejtuar nga Enriko Gualtieri, në bashkëpunim të fshehtë me laboratorin e Shell në Hamburg, ka zhvilluar një zgjidhje inxhinierike që synon të çojë kufijtë e teknologjisë së motorëve të Formula 1.

NJË MOTOR “I NXEHTË” ME TEKNOLOGJI TË PAZAKONTË

Inxhinierët e Maranelos kanë çuar në ekstrem një koncept motori që u kritikua shumë në garat e para të sezonit. Ferrari ka adoptuar një kokë cilindri të prodhuar nga një aliazh çeliku, duke zëvendësuar aluminin tradicional. Kjo zgjidhje, të cilën shumë ekspertë e konsideronin pothuajse të pamundur, lejon funksionimin me temperatura dhe presione shumë më të larta në dhomën e djegies pa dëmtuar motorin. Deri tani, motori italian V6 konsiderohej një motor “i nxehtë”, pasi dërgonte ajrin drejt “intercooler” me temperatura mbi 100 gradë Celsius, krahasuar me rreth 60–70 gradë të rivalëve. Në Austri pritet që ky kufi të kalojë mbi 115 gradë. Kjo djegie ultraefikase do të reduktojë emetimet, do të përmirësojë procesin e djegies së karburantit dhe pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të fuqisë së pastër, nga e cila do të përfitojnë Luis Hamilton dhe Sharl Lëklerk.

EFEKTI SERRA TRONDIT MERCEDESIN

Fitorja historike e Luis Hamilton në Barcelonë, e cila ndërpreu dominimin e Mercedesit pas gjashtë fitoreve radhazi në fillim të sezonit, ka rritur ndjeshëm moralin në Itali. Në Montmelo u pa qartë se makina e projektuar nga Loik Serra funksionon. Ferrari uli rezistencën aerodinamike, rriti ngarkesën dhe ishte makina që menaxhoi më mirë gomat në temperaturat ekstreme të pistës katalanase. Për Austrinë, “Scuderia” nuk mbështetet vetëm te motori i ri. Ekipi do të sjellë gjithashtu paketën e dytë aerodinamike të sezonit, pas asaj të Majamit, për të konfirmuar se SF-26 tashmë mund të përballet në mënyrë të barabartë me “shigjetat e zeza dhe argjendta” të Mercedesit.

MISTERI I “FIKJES” SË LËKLERKUT

Megjithatë, në Maranelo nuk ka vetëm arsye për të festuar. Teknikët vazhdojnë hetimet me urgjencë për problemin serioz elektronik që shkaktoi kolapsin e sistemit hidraulik të Sharl Lëklerkut në Spanjë, duke e lënë pilotin papritur pa timon asistues, pa sistemin “brake-byëire” dhe pa aerodinamikë aktive. Në garazh dyshohet se ky defekt ka shumë ngjashmëri me aksidentin misterioz që piloti nga Monako pësoi në kthesën “Antony Noghes” gjatë garës së Monakos. Lëklerk ka nevojë të rikthejë sa më shpejt besimin te makina, ndërsa pista kërkuese e Austrisë, ku ai ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i shpejtë, mund të jetë skena ideale për një rikthim teknik dhe psikologjik.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL