Transferta me Dinamon, rrogozhinasit kërkojnë “të thyejnë” tabunë ndaj rivalëve të mëdhenj
Egnatia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes së rëndësishme ndaj Dinamos, tashmë edhe nën direktivat e trajnerit të parë të saj, Edlir Tetova.
Një përballje direkte për kampionët në fuqi, të cilët ndodhen mes dy objektivave kyç: nga njëra anë synojnë të parakalojnë Elbasanin kryesues dhe nga ana tjetër të ruajnë të palëkundur vendin e dytë, objektiv që realizohet vetëm duke mos lejuar blutë e kryeqytetit të dalin me tri pikë nga kjo sfidë.
Për këtë duel, rrogozhinasit do të vuajnë mungesën e lojtarit të qëndrueshëm, Edison Ndreca, i pezulluar për shkak kartonësh. Megjithatë, në klub po merren masat e duhura që mungesa e tij të mos ndihet shumë në krahun e majtë të mbrojtjes, ku Tetova pritet të testojë disa zgjidhje alternative. Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, duket se çdo gjë është në rregull, edhe pse kuptohet që, si gjithnjë, formacioni mbetet një rebus, për shkak të rotacionit që po përdoret javë pas jave.
NGËRÇI – Ndaj Dinamos këtë të diel, Egnatia ka mundësinë të tregojë se është kampione në fushë, diçka që nuk e ka bërë shpesh deri tani, të paktën sa i përket ndeshjeve me rivalët direkt për titull: Elbasanin, Vllazninë dhe Dinamon. Me to, duket se kampionët kanë një peng të pashpjeguar që nuk shkojnë dot te triumfi. Nuk kuptohet ende nëse bëhet fjalë për një ngërç psikologjik apo mungesë kapacitetesh për të përballuar duelet e mëdha, por faktet flasin vetë, deri tani nuk kanë arritur të marrin asnjë fitore me ekipet e “Final 4”.
Egnatia numëron një barazim dhe një humbje me elbasanasit, të njëjtin bilanc me shkodranët, si edhe barazimin në takimin e parë me Dinamon. Duke qenë se kjo është ndeshja e fundit për këtë vit ndaj njërit prej rivalëve të top-katërshes, bardhëjeshilët kanë shansin e vetëm për të provuar se mund të fitojnë edhe ndaj rivalëve direkt. Një mision aspak i lehtë, pasi përballë do të kenë një nga skuadrat në formën më të mirë të momentit. Dinamo ka treguar stabilitet, agresivitet dhe efikasitet në fazën sulmuese, ndërsa vjen e karikuar nga rezultatet pozitive në javët e fundit.
Në anën tjetër, Egnatia ka nevojë jo vetëm për tri pikët, por edhe për një fitore që do t’i jepte fund dyshimeve dhe do të rikthente besimin se mbron realisht titullin. Sfida pritet të jetë nga më të ndezurat e javës, me rrogozhinasit që kërkojnë të thyejnë më në fund tabunë e tyre sezonale, ndërsa Dinamo synon të godasë pikërisht aty ku Egnatia është parë më e lëkundur: tek ndeshjet e mëdha.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













