Tjetër goditje, Alkaraz njofton mungesën e madhe: Nuk do të luaj as në Uimbëlldon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2026 | 10:55

Tjetër goditje, Alkaraz njofton mungesën e madhe: Nuk do të luaj as në Uimbëlldon

Pas mungesës në “Roland Garros”, Karlos Alkaraz ka dhënë një tjetër lajm tronditës, duke bërë të ditur se nuk do të jetë as në “Uimbëlldon”. “Rikuperimi im po ecën mirë dhe ndihem shumë më mirë, por fatkeqësisht ende nuk jam gati për të garuar. Për këtë arsye më duhet të tërhiqem nga turnetë në barin e ‘Queen’s’ dhe ‘Wimbledon’. Janë dy turne shumë të veçantë për mua dhe do të më mungojnë shumë. Do të vazhdojmë të stërvitemi për t’u rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur”, ështu njoftoi Alkaraz në profilin e tij në “Instagram”.

alkaraz

DËMTIMI – Ajo që po vonon rikthimin e Alkarazit është një dëmtim shqetësues në kyçin e dorës së djathtë, i cili në mesin e prillit e pengoi të zbriste në fushë për ndeshjen e 1/8-ave të finales në Barcelonë. Problemi rezultoi më serioz nga sa pritej dhe e detyroi fenomenin spanjoll të heqë dorë nga katër prej turneve më të rëndësishëm të sezonit në fushat e dheut të kuq: “Masters 1000” i Madridit, “Internacionalet” e Italisë, “Roland Garros” dhe tani edhe “Wimbledon”.

RAPORTI ME SINERIN – Karlos Alkaraz foli edhe për marrëdhënien e tij me Janik Siner, duke theksuar se rivaliteti mund të bashkëjetojë me respektin reciprok: “Po i tregojmë botës se mund të përballemi në fushë, të japim maksimumin dhe më pas, jashtë saj, të jemi thjesht dy djem që shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Ndihmojmë njëri-tjetrin për të nxjerrë më të mirën”, u shpreh tenisti spanjoll, i cili shtoi se, edhe pse luftojnë për të njëjtat objektiva, “nuk ka nevojë të urresh dikë vetëm sepse dëshironi të njëjtën gjë”.

JANIK, NUMRI 1 EDHE PAS UIMBËLLDONIT- Janik Siner, sipas përditësimit të fundit të renditjes ATP, ka 14.700 pikë në klasifikim. Askush nuk kishte arritur një shifër të tillë që nga viti 2016, kur Novak Xhokoviç kishte grumbulluar 14.840 pikë gjatë “US Open 2016”. Mungesa e Karlos Alkarazit i garanton Sinerit vendin e parë në botë të paktën deri pas turneut të Londrës.

PANORAMASPORT.AL