Tirana, triumfi si detyrim ndaj fanellës dhe tifozërisë
Tirana duhet të fitojë në javën e 35-të dhe nuk ka më asnjë lloj justifikimi. Në një sezon “dramë”, sfida e sotme me Teutën është prova e së vërtetës.

Në këtë lojë, presidenti Refik Halili dhe e gjithë armata bardheblu do të tregojë nëse me të vërtetë kishin bërë një skuadër të mirë, por fati i vuri poshtë. Ndaj Teutës, tri pikët janë detyrim për fanellën, tifozët dhe historinë. Një rënie tjetër do të ishte shkatërrimtare për klubin më të titulluar të Shqipërisë.
Shkëmbi, por edhe lojtarët duhet të jenë të vetëdijshëm që sot “luajnë me zjarrin” dhe gabimi më i vogël mund t’i katapultojë ndaj Dinamos në një ndeshje për “jetë a vdekje”, siç ndodhi me Vllazninë në sezonin 2016-2017. Triumfi i sotëm do të qetësonte dhe sheshonte çdo gabim të së shkuarës.
HYRJA – Klubi ka vendosur që të hapë stadiumin. Me një njoftim, bardheblutë deklarojnë se kanë hapur stadiumin për sfidën me durrsakët, ndërsa tifozët nuk do të paguajnë biletë. “Të shtunën, duke nisur nga ora 15:30, luhet ndeshja kundër Teutës në stadiumin ‘Arena Kombëtare’.
Çmimi i biletës së ndeshjes në sektorët e tribunës W 104: 3000 lekë, W 101 – 107: 2000 lekë. Hyrja në sektorët e tjerë të stadiumit: pa pagesë. Ju lutem të vini re se ky njoftim përkon me sektorët N, E, V (miqtë)”, njoftonte klubi në rrjetet sociale. Bardheblutë kërkojnë një stadium plot për këtë sfidë.
PËRBALLJET – Tirana do të luajë me Teutën këtë javë të 35-të, por këtë kampionat ajo nuk e njeh shijen e fitores. Edhe pse skuadrat janë përballur tri herë në kampionat, bardheblutë, veç një barazimi në “Arena Kombëtare”, kanë shijuar dy herë humbjen. Madje, edhe me përmbysje ndaj bardhebluve. Tirana duhet të fitojë të paktën një herë ndaj Teutës në këtë kampionat.
STADIUMI – Kujtojmë që Tirana, më në fund, ka gjetur stadiumin ku do të luajë ndeshjen delikate të javës së 35-të të Superiores, duelin direkt për mbijetesën ndaj Teutës. Pas disa ditësh pasigurie dhe shumë opsionesh të ndryshme, është vendosur që ndeshja të kthehej përsëri në impiantin ku ishte planifikuar që në fillim, “Arenën Kombëtare” në kryeqytet. Ky ishte në fakt stadiumi që FSHF-ja kishte vendosur fillimisht në planin e saj për këtë javë, e cila luhet e gjitha të shtunën në orën 15:30.
Gjatë ditëve të kaluara, plani pësoi një ndryshim, pasi nuk ishte më i sigurt zhvillimi i sfidës në këtë impiant dhe bardheblutë morën në konsideratë opsione nga më të ndryshmet. Por tashmë, gjithçka është kthyer te plani fillestar dhe Tirana do të presë Teutën në “Arenën Kombëtare”, në një ndeshje që mund të bëhet përcaktuese për mbijetesën e të dyja klubeve.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













