Tirana, Shehi dhe receta për fitoren. Alvarez e Ndong prishin punë në këtë pikë të kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2026 | 8:20

Tirana, Shehi dhe receta për fitoren. Alvarez e Ndong prishin punë në këtë pikë të kampionatit

Tirana po kalon një periudhë sfiduese dhe e vështirë, ku disa dobësi të kombinimit të formacionit dhe mungesave individuale po ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet e fundit. Një nga problemet më të dukshme është dyshja mbrojtëse Alvarez-Ndong, e cila po ndëshkon Tiranën.shehiAlvarez është jashtë forme dhe i duhet kohë për t’u rikthyer në nivelin e tij më të mirë, ndërsa Ndong është i dëmtuar dhe ka nevojë për rehabilitim. Pa këta dy lojtarë, linja e mbrojtjes dhe mesfushës ka humbur stabilitetin dhe sigurinë, duke krijuar hapësira që kundërshtarët mund të shfrytëzojnë. Trajneri Orges Shehi ka një sfidë të madhe për të gjetur një mbrojtje të ekuilibruar. Ai duhet të vendosë se cilët nga Lleshi, Kresiç, Halili apo Marku do të formojnë linjën e pasme.

Ky vendim është kyç jo vetëm për të mbajtur portën të paprekur, por edhe për të dhënë siguri në fazën e parë të ndërtimit të lojës. Një mbrojtje e dobët ka reflektuar menjëherë në rezultatin e ndeshjeve të fundit, ku Tirana ka pësuar gola të lehtë, shpesh në momente vendimtare të lojës. Problemi i dytë është mesfusha, e cila nuk mund të përbëhet vetëm nga Rafael, Kobiljar dhe Mysloviç, pa harruar dyshen AlvarezVogli. Tirana nuk ka një shkatërrues të mirëfilltë që të ndërpresë aksionet e kundërshtarëve, të vendosë ritmin e lojës dhe të lidhe mesfushën me sulmin.

Kjo ka bërë që ekipi të humbasë kontrollin e mesfushës në shumë ndeshje dhe të krijojë shumë pak raste të pastra për sulmuesit. Pa një mesfushë të fortë dhe kompakte, linjat e ekipit shpesh ndahen dhe Tirana mbetet e ekspozuar ndaj kundërsulmeve. Në fazën e sulmit situata nuk është më e mirë. Tabeku duket i lodhur dhe nuk ka shënuar që nga ndeshja me Elbasanin më 24 dhjetor 2025, ndërsa Ernest është jashtë forme.

Kjo e bën sulmin të parrezikshëm dhe të pafuqishëm për të kërcënuar por tat e kundërshtarëve. Mungesa e golave nga lojtarët kryesorë ka ndikuar në rezultatet e dobëta dhe ka ulur besimin në lojtarët e tjerë që duhet të marrin iniciativën. Xhixha është munduar që të bëjë ndryshojë diçka, por i vetëm nuk bën më shumë. Në këtë situatë, trajneri Shehi duhet të gjejë një recetë të ekuilibruar për formacionin, duke rikthyer stabilitetin në mbrojtje, forcën në mesfushë dhe rrezikshmërinë në sulm.

Një kombinim i mençur i lojtarëve të rinj dhe alternativave në skuadër mund të ndihmojë për të përmirësuar performancën dhe për të rikthyer besimin e tifozëve. Pa këto ndryshime, Tirana rrezikon të vazhdojë periudhën e rezultateve të dobëta dhe të humbasë terrenin ndaj rivalëve kryesorë në kampionat dhe në kupë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL