Tirana hap stadiumin, tifozët bardheblu falas ndaj durrsakëve të Teutës
Tirana zbret të shtunën në fushë për ndeshjen e parafundit të sezonit 2024-2025. Klubi ka vendosur që të hapë stadiumin. Me një njoftim, bardheblutë deklarojnë se kanë hapur stadiumin për sfidën me durrsakët, ndërsa tifozët nuk do të paguajnë biletë.

“Të shtunën, duke nisur nga ora 15:30, luhet ndeshja kundër Teutës në stadiumin ‘Arena Kombëtare’. Çmimi i biletës së ndeshjes në sektorët e tribunës Ë 104: 3000 lekë, Ë 101 – 107: 2000 lekë. Hyrja në sektorët e tjerë të stadiumit: pa pagesë. Ju lutem të vini re se ky njoftim përkon me sektorët N, E, V (miqtë)”, njoftonte klubi në rrjetet sociale. Bardheblutë kërkojnë një stadium plot për këtë sfidë. Kujtojmë që Tirana, më në fund, ka gjetur stadiumin ku do të luajë ndeshjen delikate të javës së 35-të të Superiores, duelin direkt për mbijetesën ndaj Teutës.
Pas disa ditësh pasigurie dhe shumë opsionesh të ndryshme, është vendosur që ndeshja të kthehej përsëri në impiantin ku ishte planifikuar që në fillim, “Arenën Kombëtare” në kryeqytet. Ky ishte në fakt stadiumi që FSHF-ja kishte vendosur fillimisht në planin e saj për këtë javë, e cila luhet e gjitha të shtunën në orën 15:30.
Gjatë ditëve të kaluara, plani pësoi një ndryshim, pasi nuk ishte më i sigurt zhvillimi i sfidës në këtë impiant dhe bardheblutë morën në konsideratë opsione nga më të ndryshmet. Por tashmë, gjithçka është kthyer te plani fillestar dhe Tirana do të presë Teutën në “Arenën Kombëtare”, në një ndeshje që mund të bëhet përcaktuese për mbijetesën e të dyja klubeve.
PANORAMASPORT.AL













