Tirana do Redon Xhixhën, bomberi pritet të jetë goditja e verës nëse…
Tirana kërkon që të riparojë problemet që ka në skuadër, duke i shtuar grupit aktual futbollistë cilësorë. Prej javësh drejtuesit janë duke planifikuar afrimin e lojtarëve jo vetëm me peshë, që njohin kampionatin shqiptar, por që të jenë të sprovuar para portës.
I tillë mund të jetë rasti i Redon Xhixhës. Lojtari ka katër vite rresht kampion, si me bardheblutë, ashtu dhe tani në Azerbajxhan me Karabakun. Gjithsesi, gjërat këtë vit edhe pse nisën mirë për Xhixhën, me gola si në kampionat dhe Champions nuk janë ato që pret sulmuesi. Mund të ndodhë që sulmuesi në verë të largohet nga Azerbajxhani dhe të gjejë një skuadër të re: ose në Europë, ose në kampionatin shqiptar. Dhe, nëse kthehet në Superiore, e ka “derën e hapur” te bardheblutë. Drejtuesit e Tiranës i kanë ofruar një kontratë, duke filluar nga 2025-sa, gjithmonë, kjo në varësi të Redon Xhixhës dhe çfarë do të bëjë bomberi në Azerbajxhan, ku ai ka një kontratë që e lidh me Karabakun deri në qershor 2026. Shkurt, Tirana ka “prenotuar” Redon Xhixhën, nëse ai vendos të largohet nga Azerbajxhani. Lojtari do të ishte një forcë e madhe për bardheblutë, pasi në sulm, edhe pse ka disa futbollistë, nuk ka ndoshta finalizuesin. Kujtojmë që Xhixha la Shqipërinë në janarin e 2023- it. Redoni fitoi “Topin e Artë” të kampionatit shqiptar 2022. Karabaku e bleu lojtarin për 550 mijë euro. Lojtari firmosi një kontratë 3.5-vjeçare, me vlerë 1 milion euro. Tirana, veç 550 mijë eurove, mund të merrte edhe 250 mijë euro bonuse.
LËVIZJET – Lëvizja e Xhixhës mund të jetë në sinkron edhe me lëvizje të tjera në skuadër, siç është shitja e Ualid Zharmunit. Futbollisti mund të shkojë në një ekip tjetër dhe kjo do të sillte jo vetëm paratë, por edhe afrimin e Redon Xhixhës. Gjatë janarit të shkuar, lojtari u përfol për të veshur fanellën e Tiranës, Partizanit, Egnatias dhe Elbasanit. Bardheblutë i ofruan 50 mijë euro lojtarit, por ky i fundit nuk pranoi që të transferohej në Shqipëri. Xhixha ka shënuar 5 gola në 21 ndeshje gjatë këtij sezoni, duke qenë në fushë 729 minuta.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













