Tirana, 73 mijë euro në muaj për mbijetesën. Sezoni shkon drejt dështimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2025 | 23:22

Tirana, 73 mijë euro në muaj për mbijetesën. Sezoni shkon drejt dështimit

Tirana në këtë moment të Superiores është e nënta në renditje dhe nëse sezoni mbyllej sot do të zbriste një kategori më poshtë. Kur duhet të luhen edhe 12 javë kampionat, bardheblutë janë jashtë çdo objektivi.fghghNë katërshe nuk janë, sepse janë 17 pikë larg vendit të katërt; nga Kupa e Shqipërisë janë eliminuar dhe rruga e vetme për Europën është kampionati. Çudia qëndron te fakti, se bardheblutë harxhojnë për rroga rreth 73 mijë euro në muaj. Me një llogari të thjeshtë, Refik Halili vetëm për 10 muaj sezon harxhon rreth 730 mijë euro si buxhet për pagesa. Ky është buxheti më i ulët që skuadra bardheblu ka pasur ndonjëherë vitet e fundit.

Dhe për këtë fakt mjafton të kujtojmë që sezonin e shkuar, Tirana kishte një buxhet 150 mijë euro në muaj. Lojtari më i paguar vjet ishte 11-12 mijë euro në muaj, ndërsa sivjet nuk i kalon 5-6 mijë eurot, çka tregon qartë për situatën. Sezonet e fundit Tirana ka pasur gjithmonë buxhetin 100 mijë euro në muaj, por pas dështimit të kampionatit të shkuar, KF Tirana vendosi të pjesëtonte me dy buxhetin dhe të besonte te filozofia e skuadrës së re, një lëvizje që për momentin nuk ka qenë shumë frytdhënëse, pasi skuadra është me një këmbë në Kategorinë e Parë. Me këtë buxhet, mesatarisht rrogat e lojtarëve nuk shkojnë më shumë se 4 mijë euro në muaj.

HALILI – Gjendja e skuadrës duket se ka goditur edhe presidentin bardheblu Refik Halili. Ky i fundit është bërë pishman që ka eksperimentuar këtë vit dhe nuk ka bërë një skuadër me emra të njohur. Presidenti mësohet të ketë thënë që vitin e ardhshëm do të bëjë sërish një skuadër me emra të njohur dhe të paguar, për të arritur objektivin që bardheblutë kanë gjithmonë në jetë, atë të titullit kampion dhe të fitimit të Kupës së Shqipërisë. Në fakt, Tirana prishi gjithë skuadrën e vjetshme. Nga grupi që nisi sezonin e kaluar kanë mbetur shumë pak emra, si: Përgjoni, Mici, Haxhiu, Selmani dhe ndonjë djalë i ri, ndërsa pjesa tjetër janë afrime që u bënë në verën e shkuar dhe këtë janar. Këtë kampionat, madje dominon kolonia e të huajve, plot 10 të tillë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL