Teuta triumfon ndaj Luzit, Dobi teston anti-Tiranën
Skuadra e Teutës mbylli me fitore javën e përgatitjeve, duke triumfuar me rezultatin 2–1 ndaj Luzit, në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin e qytetit të Luzit. Takimi shërbeu si një test i vlefshëm për trajnerin e durrsakëve, i cili pati mundësinë të provojë pothuajse gjithë kontingjentin në dispozicion dhe të vlerësojë gjendjen fizike e taktike të lojtarëve pas disa ditësh stërvitjeje intensive.

NDESHJA — Pavarësisht se ishte një sfidë miqësore, loja u zhvillua me ritëm të lartë dhe me angazhim të dukshëm nga të dyja skuadrat. Luzi e nisi më mirë takimin, duke kaluar në avantazh falë një veprimi të shpejtë në minutat e para. Sulmuesi Alushi u gjend në zonë dhe përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen durrsake për të dërguar topin në rrjetë dhe për të zhbllokuar rezultatin në 1–0.
Pas golit, Teuta reagoi menjëherë dhe mori kontrollin e lojës. Durrsakët shtuan presionin në gjysmëfushën kundërshtare, duke krijuar disa raste të pastra për shënim, por u desh minuta e 32- të që të vinte barazimi. Ishte Votlai ai që konkretizoi dominimin me një goditje të saktë, duke dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1–1.
PJESA E DYTË – Në fraksionin e dytë të lojës, stafi teknik i Teutës aktivizoi një formacion krejtësisht të ri, duke i dhënë mundësinë edhe lojtarëve të tjerë të shfaqnin veten. Skuadra durrsake vazhdoi të ushtrojë presion të vazhdueshëm, ndërsa ritmi i ndeshjes u rrit ndjeshëm. Dominimi u konkretizua në minutën e 68-të, kur Myszor përfitoi nga një krosim nga krahu i majtë dhe e shtyu topin në rrjetë, duke i dhënë Teutës avantazhin e parë në takim dhe njëkohësisht rezultatin përfundimtar 2–1.
Edhe pse pati mundësi të tjera për të thelluar rezultatin, Teuta nuk arriti të shënojë më, duke u ndalur në këtë fitore minimale, por me shumë vlera për moralin e skuadrës dhe për vlerësimin e formës së lojtarëve. Ky takim miqësor tregoi se Teuta është në rrugën e duhur drejt përgatitjes për Tiranën. Loja e skuadrës u karakterizua nga posedim i lartë i topit, qarkullim i shpejtë dhe përpjekje për të ndërtuar aksione nga prapavija. Megjithatë, problemi kryesor mbetet finalizimi, pasi durrsakët humbën disa mundësi të pastra për shënim, veçanërisht në pjesën e dytë. Stafi teknik u shfaq i kënaqur me angazhimin e lojtarëve dhe me mënyrën se si grupi po përshtatet me idetë taktike të trajnerit. Kjo fitore, ndonëse miqësore, rrit moralin e skuadrës dhe shërben si nxitje për sfidat që e presin në javët në vijim.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













