TENIS/ Xhokoviç mposht Çiliç, sfida me moshën më të lartë e “Masters 1000”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2025 | 9:32

TENIS/ Xhokoviç mposht Çiliç, sfida me moshën më të lartë e “Masters 1000”

Novak Xhokoviç u rikthyer të premten në fushë, 28 ditë pasi u eliminua nga Karlos Alkaraz në gjysmëfinalet e “US Open”. Tenisti serb kaloi në raundin e tretë të turneut Masters 1000 në Shangai (ku ka triumfuar katër herë), pasi mposhti kroatin Marin Çiliç me rezultat 7-6(2), 6-4.

xhokovic

Një ndeshje që është futur në histori, pasi asnjëherë më parë, që nga themelimi i këtij kompeticoni në vitin 1990, nuk ishte zhvilluar një ndeshje mes dy kundërshtarësh kaq të moshuar. Së bashku, Xhokoviç (38 vjeç) dhe Çiliç (37) përbëjnë një moshë totale prej 75.43 vitesh. Rivali i radhës për Xhokoviçin do të jetë gjermani Janik Hanfman, i ardhur nga kualifikueset, i cili përfitoi nga forma e dobët e amerikanit Frances Tiafoe (25 vjeç).

Sfida Xhokoviç-Hanfman do të zhvillohet në orët e para të mëngjesit (04:00) të datës 7 tetor. Pavarësisht se ka ndjekur një kalendar të personalizuar dhe ka munguar në turnet Masters të Madridit, Torontos dhe Cincinatit, Xhokoviç renditet i treti në “Race to Turin 2025”, renditja që përcakton pjesëmarrësit në ATP Finals, që do të mbahen nga 9 deri më 16 nëntor. Ai ka grumbulluar 4,230 pikë, 885 më shumë se Lorenco Museti, i cili aktualisht mban vendin e fundit që siguron kualifikimin.

‘Nole’ e ka fituar turneun përmbyllës të sezonit plot 7 herë, një tjetër rekord i tij, por nuk mori pjesë në edicionin e kaluar. Titulli i tij i fundit në këtë event daton në vitin 2023, kur mposhti në finale Janik Sinerin. Ky ishte edhe triumfi i tij i fundit ndaj italianit, i cili ka fituar pesë përballjet e radhës mes tyre dhe me shumë gjasa mund të jenë rivalë sërish në gjysmëfinalet e Shangait.

“Është e vështirë të luaj në pesë sete kundër Alkarazit dhe Sinerit. Është frustrim të mos mund të bëj në fushë atë që bëja më parë, por është normale, vjen me moshën”, deklaronte fituesi i 24 Grand Slameve pas humbjes nga Alkaraz në gjysmëfinalet e fundit të “US Open”. Kjo situatë mund ta shtyjë Xhokoviçin të japë maksimumin për t’u rikthyer në ATP Finals.

PANORAMASPORT.AL