TENIS/ Sfidon edhe dëmtimin, Alkaraz kalon raundin në turneun e Tokios

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2025 | 9:51

TENIS/ Sfidon edhe dëmtimin, Alkaraz kalon raundin në turneun e Tokios

Karlos Alkaraz nuk u ndal nga një dëmtim në kaviljen e majtë në ndeshjen e tij debutuese në turneun e Tokios. Tenisti spanjoll u kualifikua për në raundin e dytë pasi mposhti argjentinasin Sebastian Baez me rezultatin 6-4, 6-2 në vetëm 1 orë e 30 minuta lojë.

e26913abac406c2ee4d89e135cb77511e8a99d10

Ndeshja nuk ishte pa ankth, pasi në gemin e pestë të setit të parë, me rezultatin 2-2 dhe 0-15, Alkaraz ndrydhi kyçin e këmbës gjatë një vrapimi dhe ra menjëherë në tokë me shenja të qarta dhimbjeje. Pas ndërhyrjes së fizioterapistit dhe lidhjes së kyçit, ai vazhdoi lojën me kujdes të shtuar, sidomos në lëvizjet anësore. “E ndjej, në disa situata jo, por në disa të tjera më dhemb”, iu drejtua spanjolli stafit të tij gjatë pushimeve. Pavarësisht se humbi avantazhin e parë me “break”, Alkaraz arriti ta rikuperojë në gemin e nëntë, pak para se loja të ndërpritej për shkak të shiut. Gjatë pauzës, mbulesa e stadiumit “Ariake Coliseum” u mbyll dhe Alkaraz përfitoi për t’u kontrolluar edhe një herë nga fizioterapisti i tij personal, Juanjo Moreno.

Pas ndërprerjes, gjashtë herë fituesi i turneve grand slam arriti të rikthejë ritmin dhe të dominojë kundërshtarin. Nga rezultati 4-4 në setin e parë, Baez fitoi vetëm dy “game”, ndërsa Alkaraz tetë, një përmbysje e qartë që tregon edhe një herë forcën e tij mentale dhe teknike. Edhe kur nuk lëviz në maksimum, Alkaraz është më i mirë se shumica, dhe Baez ishte thjesht një tjetër emër në atë listë. Forca e goditjeve të spanjollit ishte e papërballueshme për argjentinasin. Kjo ishte fitorja e 15-të radhazi e Alkaraz kundër tenistëve argjentinas dhe fitorja e 63-të në sezonin aktual, vetëm dy më pak se rekordi i tij personal prej 65 fitoreve në vitin 2023. Që nga disfata me David Gofin në “Miami Open”, ai nuk ka humbur në ndeshjet e para të turneve, me një bilanc mbresëlënës prej 48 fitoresh dhe vetëm 3 humbjesh që nga ajo sfidë. Në vitin 2025, spanjolli ka fituar 90% të ndeshjeve të tij: 63 fitore dhe 7 humbje.

NJË DITË PUSHIM PËR RIKUPERIM Të premten, Alkaraz do të ketë një ditë pushimi për të rikuperuar kaviljen e dëmtuar, përpara se të përballet në raundin e dytë me belgun Zizu Bergs, i cili eliminoi kilianin Alejandro Tabilo me rezultatet 1-6, 7-6(2), 7-6(4). Ndeshja Alkaraz-Bergs do të zhvillohet në agimin e së shtunës, në orën 04:00. Në historinë e turneut ATP të Tokios, që organizohet që nga viti 1972, vetëm tre tenistë spanjollë e kanë fituar titullin: Manolo Orantes (1977), David Ferrer (2007) dhe Rafael Nadal (2010). A do të jetë Alkaraz emri i katërt në këtë listë?

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL