TENIS/ Flet para debutimit në ATP 500 të Tokios, Alkaraz: Nuk mendoj 24 “grand slam”-et e Novak Xhokoviçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2025 | 15:20

TENIS/ Flet para debutimit në ATP 500 të Tokios, Alkaraz: Nuk mendoj 24 “grand slam”-et e Novak Xhokoviçit

Karlos Alkaraz do të nisë sot rrugëtimin e tij në ATP 500 të Tokios përballë Sebastian Baez, në ndeshjen që do të mbyllë ditën në fushën qendrore.

alcaraz-tokyo-2025-preview

Tenisti nga Murcia, që mbërriti në kryeqytetin japonez të martën, foli në konferencën për shtyp para fillimit të turneut për ecurinë e sezonit të tij: “Ky është sezoni më i mirë i karrierës sime. Kam luajtur tenis të shkëlqyer dhe jam rritur shumë si lojtar”. Alkaraz, i cili zhvilloi një seancë stërvitore me Tejlor Fritz, u pyet edhe për objektivat afatgjata që i ka vendosur vetes në karrierë: “Nuk mendoj për 24 ‘Grand Slam’-et e Xhokoviçit apo gjëra të tilla. Gjithmonë kam thënë se do të më pëlqente të isha në të njëjtën tryezë me legjendat e mëdha të këtij sporti, por kjo nuk është diçka që e kam në fokus për momentin. Deri tani kam arritur gjëra të rëndësishme, por nuk marr asgjë si të mirëqenë. Nuk e di çfarë do të ndodhë më tej. Duhet të përqendrohem dita-ditës, të vazhdoj të stërvitem dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj vetëm të jem tenist më i mirë dhe njeriu më i mirë i mundshëm. Vetëm kjo më intereson”, shprehet spanjolli.

Alkaraz, i cili mund të bëhet tenisti i gjashtë numër 1 në botë që fiton në Tokio, ashtu si dikur Edberg, Sampras, Federer, Nadal dhe Xhokoviç, foli edhe për përballjet e fundit me Janik Sinerin në finalet e turneve: “E di që do të bëjë ndryshime krahasuar me finalen e US Open. Edhe unë kam bërë të njëjtën gjë pas humbjeve ndaj tij, kam punuar që të përmirësohem dhe të jem më i përgatitur herën tjetër. Duhet të jem i përqendruar dhe gati për këto ndryshime. Rivaliteti ynë po përmirësohet dhe mendoj se kjo është fantastike për tenisin”

Fituesi i gjashtë “Grand Slam”-eve po garon në Tokio edhe për bonusin prej një milion dollarësh që ATP-ja i jep tenistit që grumbullon më shumë pikë në turnetë e serisë 500. Këtë vit ai zgjodhi Tokion në vend të Pekinit. Gjatë qëndrimit të tij në Japoni, nuk ka ngurruar të zhytet në kulturën vendase dhe është veshur edhe si samurai: “Jam shumë i interesuar të njoh kulturën japoneze, të vizitoj qytetin dhe të regjistroj emrin tim në listën e fituesve të këtij turneu, përkrah emrave të mëdhenj si Federer, Nadal, Xhokoviç dhe Mërrej”, përfundoi Alkaraz.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL