TENIS/ Alkaraz shpërthen pas eliminimit në Majami: Nuk mundem më, të gjithë perfektë kundër meje
“Kundër meje, të gjithë shndërrohen në Roxher Federer”, kështu ishte shprehur Alkaraz pas fitores së vështirë në “Indian Wells” ndaj Arthur Rinderknech. Ndryshon qyteti, ndryshon turneu, ndryshon edhe rezultati, por jo ndjenja e frustrimit. I eliminuar papritur në raundin e tretë të “Miami ATP” nga Korda, spanjolli u kthye te e njëjta temë.
Gjatë ndeshjes, Alkaraz u dëgjua duke iu drejtuar ekipit të tij: “Nuk mundem më, kundër meje të gjithë luajnë shumë mirë”. Një shpërthim që vazhdoi edhe në konferencë për shtyp, ku u përpoq ta shpjegonte me një buzëqeshje: “Është pak e bezdisshme të shohësh kundërshtarët që gjithmonë japin më shumë se maksimumin e tyre. Ndoshta sepse luajnë pa presion, kundër meje kanë më shumë për të fituar sesa për të humbur. Është diçka që duhet ta pranoj. E di që nga tani e tutje do të luajnë kështu. Duhet të jem gati. Në ndeshjet e ardhshme duhet të nis nga ideja se niveli do të jetë ky. Nëse do të kem mundësitë e mia, do të përpiqem të luaj më mirë në ato momente, në ato pikë. Do të mundohem t’i mbaj jashtë ritmit të ndeshjes”.
Për numrin një të botës, mosshfrytëzimi i rasteve çon në një tjetër zhgënjim në Majami, aty ku këtë vit u ndal në raundin e tretë, ndërsa një vit më parë ishte eliminuar që në ndeshjen e parë nga David Gofin.
PUSHIMI – Përballja me amerikanin Korda rezultoi veçanërisht e vështirë. Në momentin më kritik, Alkaraz iu drejtua sërish ekipit të tij: “Nuk mundem më, dua të shkoj në shtëpi”. Fjalë që tingëllojnë pothuajse profetike, të konfirmuara pas ndeshjes: “Tani po kthehem në shtëpi. Kam nevojë të relaksohem me familjen dhe miqtë për disa ditë”. Tani që turnetë e parë në fushat e forta kanë përfunduar, vëmendja e kampionit spanjoll është zhvendosur te faza e ardhshme e sezonit: “Kam nevojë të shkëputem dhe të rimbush energjitë për sezonin në fushat e dheut”.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













