TENIS/ Alkaraz nuk ndalet, kalon në 4-she të “Indian Wells”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2026 | 9:17

TENIS/ Alkaraz nuk ndalet, kalon në 4-she të “Indian Wells”

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Karlos Alkaraz siguroi kualifikimin për gjysmëfinalen e pestë radhazi në “Indian Wells”, pasi mposhti me dy sete, 6-3 dhe 6-4, një kundërshtar të vështirë si Kameron Norris, i cili më parë e kishte mundur tre herë.

ghg

Nuk pati rrezik real për një humbje të katërt, sepse në fushë u pa një Alkaraz shumë i përqendruar, duke zhvilluar një set të parë në nivel shumë të lartë dhe në të dytin arriti të kapërcejë një moment pasigurie që mund të ishte bërë i rrezikshëm.

Norris nuk u dorëzua kurrë dhe qëndroi i kapur pas ndeshjes deri në fund. Karlos e nisi takimin, si edhe në ndeshjet e mëparshme, duke përfituar nga niveli i lartë i shërbimit, duke ruajtur për një kohë të gjatë 100% të pikëve me shërbimin e parë. Ai realizoi një “break”, e humbi përkohësisht avantazhin, por e rikuperoi menjëherë dhe u drejtua me siguri drejt fitimit të setit të parë. Në setin e dytë u gjend në disavantazh 0-2, me një lojë disi të çrregullt përballë një rivali të rrezikshëm si Norris, i cili nuk të lejon të gjesh ritëm dhe të detyron të ndryshosh vazhdimisht strategji. Por të qenit numri një në botë do të thotë të përballesh me situata të tilla.

Katër “game” radhazi e vendosën Alkaraz në avantazh dhe ai arriti sërish të shtrëngojë dhëmbët kur Norris, gjithnjë këmbëngulës, e detyroi të luftonte deri në fund për fitoren, duke shpëtuar disa mundësi vendimtare përpara se ta mbyllte ndeshjen në të katërtën. Një ndeshje e vështirë që u fitua me diferencë, edhe pse jo pa vështirësi. Rivali i Alkarazit në gjysmëfinale do të jetë Danil Medvedev, i cili mposhti 6-1 dhe 7-5 britanikun tjetër Xhek Draper. Gjysmëfinalja tjetër do të luhet mes Janik Sinerit (6-1, 6-2 ndaj Tien) dhe Aleksandër Zverevit (6-2, 6-3 ndaj Fils).

FEMRAT Në çerekfinalet e femrave, Svitolina mundi Sviatek 2- 1 (6-2, 4-6, 6-4), Ribakina triumfoi 2-0 (6-1, 7-6) ndaj Pegulës, Noskova fitoi 2-1 (6-2, 4-6, 6-2) ndaj Gibson, ndërsa Sabalenka fitoi ndaj Mboko në shifrat 2-0 (7-6 dhe 6-4. Në gjysmëfinale, Svitolina do të përballet me Ribakinën, ndërsa Sabalenka me Noskovën.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL