Të kthyer nga huazimet, dy futbollistë luajnë shanset e fundit të Partizani
Te Partizani nuk është mbyllur afrimi i asnjë futbollisti, por nuk është se kanë munguar fytyrat e reja në stërvitjet e këtyre tri ditëve të fundit.

Henri Zuna dhe Shkambi Baruti janë kthyer në skuadër pas huazimeve në Kategorinë e Parë te Kastrioti dhe Erzeni. Të dy janë stërvitur me skuadrën në ditët e fundit dhe në këto ditë do të kenë mundësinë e fundit dhe të vetme për të bindur trajnerin Gega dhe stafin e tij për të qëndruar apo jo.
Zuna ka një shans të mirë në një moment kur aktualisht nuk ka asnjë mbrojtës të djathtë në skuadër dhe do të kërkojë ta shfrytëzojë. Gjithsesi, në vijim për të pritet të rritet konkurrenca, pasi klubi është në kërkim të një lojtari të nivelit të lartë në atë pozicion.
Në janar të kuqtë patën transferuar Ismail Sodiq, lojtar me shumë cilësi, por dështimi në testet mjekësore bëri që gjithçka të anulohej. Më e vështirë është situata për Barutin, i cili luan si qendërmbrojtës, një rol ku alternativat janë të shumta. Mbetet të shihet situata e 21-vjeçarit, që me Erzenin luajti si titullar gjithë sezonin. Sa u përket seancave stërvitore, trajneri Gega e ka përqendruar thuajse gjithçka në aspektin fizik, ku ngarkesa po vjen gradualisht në rritje çdo ditë e më shumë.
Në ditët në vijim skuadra pritet të zhvillojë një ndeshje testuese. Mbetet për t’u vendosur nëse do të bëhet brenda grupit apo kundër ndonjë ekipi që është ende në aktivitet sa u përket stërvitjeve.
PANORAMASPORT.AL













