Sulmuesi i Teutës, Zela: Grupi bëri diferencën ndaj Dinamos, me shkodranët luftojmë për rezultat pozitiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2025 | 13:25

Sulmuesi i Teutës, Zela: Grupi bëri diferencën ndaj Dinamos, me shkodranët luftojmë për rezultat pozitiv

Sulmuesi i Teutës, Gonzales Zela, në një intervistë për “Panorama Sport”, u shpreh i kënaqur për suksesin ndaj Dinamos, duke vlerësuar punën e gjithë skuadrës.zelaAi theksoi se fitorja ishte meritë e unitetit dhe përkushtimit në fushë. Zela ndërkohë hodhi sytë edhe nga dueli i radhës me Vllazninë, një përballje që sipas tij do të jetë e vështirë, por ku Teuta do të hyjë për të luftuar deri në fund me objektivin për të marrë rezultat pozitiv.

Zela, si e përjetuat këtë fitore ndaj Dinamos?

Ishte një ndeshje shumë e fortë, por ekipi tregoi karakter dhe luftuam deri në fund për të marrë tre pikët. Jam shumë i lumtur për këtë rezultat.

Çfarë mendoni se bëri diferencën?

Diferencën e bëri uniteti. Luajtëm si skuadër, ndihmuam njëri-tjetrin dhe ishim të përqendruar nga minuta e parë deri në fund.

Si ndiheni personalisht për paraqitjen tuaj?

Jam i kënaqur me kontributin tim, por mbi të gjitha jam i lumtur që ndihmova skuadrën. Gjithmonë ka vend për përmirësim dhe do të punoj më shumë në stërvitje.

Fitorja ndaj një kundërshtari si Dinamo, sa motivim sjell për ndeshjen ndaj Vllaznisë?

Shumë motivim. Ky rezultat na jep besim dhe energji për të vazhduar rrugëtimin tonë. Duhet të mbajmë të njëjtin ritëm dhe të mos ndalemi.

Pas pak orësh do të përballeni me Vllazninë, si e shihini këtë sfidë?

Takimi me Vllazninë do të jetë i vështirë, sepse ata janë një skuadër me eksperiencë dhe gjithmonë rival të fortë. Megjithatë, ne vijmë me moral të lartë nga rezultatet e fundit dhe do të futemi në fushë për të dhënë maksimumin. Nëse jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe konkretë përpara portës, besoj se mund të marrim rezultat pozitiv.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL