Strategjia e Vllaznisë nuk ndryshon, në fushë lojtarë të akademisë
Eksperiencat shumë pozitive me afirmimin, por edhe shitjen për shuma të majme jashtë vendit të emrave si Alivoda apo Dodaj, duket se te Vllaznia nxisin sërish të besojnë te futbollistët e rinj edhe këtë sezon. Pavarësisht se synimi në merkato ka qenë afrimi i futbollistëve me eksperiencë dhe që mund të përballojnë presionin e garës, vëmendja nuk humb aspak nga elementi i ri në radhët e kuqebluve.

Që në politikat e klubit e kanë si synim afrimin e një elementi të ri çdo edicion. Dhe futbollistët premtues duket se nuk mungojnë aktualisht në ekipin e drejtuar nga Martini. Duke nisur nga portieri Jukaj, i cili mund të konsiderohet i konfirmuar tashmë pavarësisht moshës së tij vetëm 20 vjeç. Për të vijuar edhe me emra të tjerë Brahimi apo Hajdari në mbrojtje. E dy futbollistë në mesfushë disi më të “spikatur” ku kanë pasur disa minuta në të shkuarën si Tafili e Delaj.
E ndërsa premtues duket se janë edhe Kubazi e Ara në repartin e sulmit, dy futbollistë të bashkuar me ekipin e parë të shkodranëve rishtazi nga akademia kuqeblu. Disa elementë të cilët Martini do t’i studiojë me shumë vëmendje dhe një moment për të bindur shkodranin për cilësitë e tyre, do të jenë ndeshjet miqësore para nisjes së edicionit të ri.
Ku elementi i ri do të jetë qëllimi kryesor për t’i dhuruar minuta dhe vërtetuar vlerat e tyre. Me klubin e Vllaznisë që po analizon me kujdes rritjen e elementit të ri. Ku me krijimin edhe të Vllaznia B, disa futbollistë që ndoshta nuk kanë minutat e duhura me skuadrën e parë, do të kenë hapësirat në skuadrën e dytë. Kjo për të krijuar eksperiencë, por edhe marrë minutazhin që kërkohet nga një futbollist gjatë një sezoni.
PANORAMASPORT.A













