Statistikë alarmante, sulmi i Vllaznisë humb efikasiteti përpara portës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2026 | 22:47

Statistikë alarmante, sulmi i Vllaznisë humb efikasiteti përpara portës

Sulmi i Vllaznisë, që gjatë pjesës më të madhe të këtij sezoni është konsideruar si një nga armët më të forta të skuadrës shkodrane, duket se ka humbur shkëlqimin pikërisht në momentin më vendimtar. Në fazën kur gjithçka vendoset dhe gabimet kushtojnë më shumë se kurrë, reparti ofensiv nuk po arrin të bëjë diferencën, duke lënë skuadrën në një situatë të ndërlikuar në garën për objektivat madhorë.

vllaznia balaj

Kjo u pa qartë edhe në përballjen ndaj Dinamos, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës, zhvilluar në Shkodër. Përkundër pritshmërive dhe mbështetjes së tifozëve vendas, ofensiva kuqeblu prodhoi shumë pak, duke mos arritur të vërë në vështirësi mbrojtjen e kryeqytetasve. Aksionet ishin të rralla, të fragmentuara dhe pa thellësi, ndërsa goditjet drejt portës munguan pothuajse tërësisht. Në këtë sfidë, një nga të paktët që u përpoq të ndryshojë ritmin ishte Dodaj.

Sulmuesi 20-vjeçar tregoi angazhim maksimal dhe lëvizshmëri, por përpjekjet e tij mbetën pa konkretizim. Ai nuk arriti të krijojë asnjë rast të pastër shënimi, duke reflektuar jo vetëm vështirësitë individuale, por edhe mungesën e mbështetjes nga pjesa tjetër e repartit ofensiv. Ndërkohë, shqetësuese mbetet edhe forma e Bekim Balajt. Sulmuesi me përvojë vijon “agjërimin” e tij, duke shkuar në tetë ndeshje radhazi pa gjetur rrugën e rrjetës, mes kampionatit dhe Kupës.

Një statistikë e tillë për një lojtar të profilit të tij është tregues i qartë i krizës që ka përfshirë sulmin e Vllaznisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e skuadrës.

Mungesat e rëndësishme si ato të Kastratit dhe Bismark kanë ndikuar gjithashtu në uljen e ndjeshme të rrezikshmërisë në fazën sulmuese. Alternativat kanë qenë të kufizuara dhe zëvendësimet nuk kanë arritur të japin të njëjtin impakt. Megjithatë, nëse Vllaznia synon seriozisht titullin, një ndryshim qasjeje është i domosdoshëm në javët e mbetura. Skuadra duhet të rigjejë urgjentisht efikasitetin përpara portës, përndryshe rrezikon të shohë t’i rrëshqasin nga duart objektivat e sezonit.

PANORAMASPORT.AL