Statistikat/ Vllaznia “lokomotiva”, surpriza është Partizani. Trajneri Kërnaja ndryshoi fytyrën dhe shpëtoi sezonin e të kuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2026 | 8:21

Statistikat/ Vllaznia “lokomotiva”, surpriza është Partizani. Trajneri Kërnaja ndryshoi fytyrën dhe shpëtoi sezonin e të kuqve

Partizani është duke kaluar padyshim momentin më të mirë të sezonit me të kuqtë që kanë fituar pesë ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.partizaniTë kuqtë janë në rrugën e duhur për të prekur zonën e “Final Four” në fundin e kampionatit teksa aktualisht kur kanë mbetur edhe dhjetë ndeshje për t’u zhvilluar në Superiore, mbajnë vendin e pestë në tabelën e klasifikimit me 39 pikë, po aq sa edhe Dinamo e vendit të katërt, teksa me blutë, Partizani përballet të hënën e ardhshme në një ndeshje që mund të konsiderohet si një finale për të dyja skuadrat. Nga ana tjetër, kryeqytetasit janë edhe me një “këmbë” në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë duke qenë se kanë triumfuar në ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Elbasanit me rezultatin 0-1 dhe këtë të mërkurë në “Arenën e Demave” duhet të menaxhojnë këtë avantazh.

SEZONI NISI NË MALORE – Megjithatë, sezoni nuk ka qenë gjithnjë “fushë me lule” për Partizanin, përkundrazi ka qenë gjitnjë një “malore” e cila jo gjithmonë është ngjitur me sukses. “Demat e Kuq” e nisën sezonin mes shumë problemeve që sollën më pas shkarkimin e trajnerit serb, Mlladen Milinkovic pas javës së gjashtë të kampionatit teksa kampionati u duk u komprementuar. Por, zgjidhja erdhi shpejt dhe në fakt e paparishikuar. Në stol u emërua një njeri që erdhi nga brenda familjes së kuqe si Oltijon Kërnaja, trajneri që më parë ishte në krye të ekipit B. Në fillim, u mendua se tekniku 37-vjeçar do të ishte në rolin e një trajneri të përkohëshëm derisa të mbërrinte një tjetër emër me më shumë eksperiencë për të marrë drejtimin e ekipit.

 RINGRITJA ME KËRNAJËN – Por, rezultatet janë ato që masin më së miri rezultatin e një trajneri, dhe Oltijon Kërnaja nisi të koleksionojë suksese që në ditët e para si triumfi në debutim me Flamurtarin, e më pas fitoret spektakolare dhe shumë emocionuese ndaj Teutës dhe në derbi ndaj Tiranës duke “shkundur” ekipin dhe e “zgjuar” nga “gjumi letargjik”. Pavarësisht problemeve me dëmtimet e shumta dhe të rënda të disa prej elementëve kryesorë të ekipit, Kërnaja gjeti formulën e duhur për të rikthyer Partizanin te rezultatet pozitive. Karakteristika e skuadrës nën drejtimin e tij është shpirti i lartë i garës sportive, me lojtarët që luftojnë për çdo top dhe në çdo centimetër të fushës teksa në këtë rrugëtim, Kërnaja ia doli të evidentojë edhe disa elementë si Marjus Kola, Rouan Hjuman, Arafat Dumbia, apo edhe Diego Kontreras. Të gjithë këta elementë të përfituar gjatë sezonit nën drejtimin e Kërnajës, teksa edhe pse ishin pjesë e skuadrës më parë, sërish nuk kishin mundur të “shpërthenin” dhe të nxirrnin në pah “arsenalin” e tyre të plotë.

STATISTIKAT – Ajo fitore e fundit në kampionat e arritur vetëm disa ditë më parë ndaj Egnatias me rezultatin 2- 0, ishte ndeshja e 20-të në kampionat për Kërnajën në drejtimin e Partizanit në kampionat. Në këto ndeshje, skuadra 17-herë Kampione e Shqipërisë ia ka dalë të sigurojë dhjetë fitore, pesë barazime si dhe pesë humbje. Përkthyer në pikë, Partizani në këto 20 ndeshje me Kërnajën në krye ka koleksionuar 35 pikë, po aq sa edhe Elbasani teksa më mirë ka bërë vetëm Vllaznia që ka mbledhur 38 pikë në 20 ndeshje (11 fitore, 5 barazime, 4 humbje) dhe jo më kot është në vendin e parë. Gjithsesi, kjo statistikë nxjerr në pah ndikimin e Kërnajës te skuadra e kuqe dhe jo më kot tashmë objektivat janë më pranë se kurrë.

AMBICIET – Ambienti në klubin e Partizanit është shumë i bashkuar dhe me “këmbë në tokë”, të gjithë këto rezultate të arritura së fundmi janë fantastike, por ende asgjë nuk është arritur dhe puna duhet të vazhdojë, edhe më shumë se më parë. Kërnaja, është i bindur teksa është shprehur se skuadra nuk e ka arritur ende potencialin e saj të plotë, ndaj sfidat e radhës ndaj Elbasanit në Kupë dhe Dinamos në kampionat, si dhe më pas komplet faza e katërt dhe vendimtare e kampionatit, do të duhet të vijojë me këtë ritëm për të pasur mundësinë e një fundi të lumtur, ku pjesëmarrja në “Final Four” dhe “qershia mbi tortë”, trofeu i Kupës së Shqipërisë që mungon prej vitit 2004, të bëhen realitet për të kuqtë.214

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL