STATISTIKAT/ Ndryshoi sulmin e Partizanit, nuk ka dyshime për njeriun e momentit te kryeqytetasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2026 | 22:27

STATISTIKAT/ Ndryshoi sulmin e Partizanit, nuk ka dyshime për njeriun e momentit te kryeqytetasit

Seku Sidibe është surpriza që merkato e dimrit solli në Superiore. Statistikat e tregojnë sulmuesin 24-vjeçar, si më të mirin gjatë kësaj kohe me “demat”. “Sofascore” i jep vlerësimin mesatar 7.51 për shtatë ndeshje të Superiores. Me diferencë të dukshme ndjek Pano Qirko, i cili mban vlerësimin mesatar 7.15 që nga fillimi i kampionatit.

sidibe

Sidibe bëri mjaft mirë edhe përballë Dinamos. Për këtë “Sofascore” i dha notën 8. Sulmuesi u vlerësua për impaktin e tij në fazën ofensive, pavarësisht se humbi dy raste të pastra për gol. Fillimisht në pjesën e parë, dhe më pas në të dytën ku sërish u vendos përballë portierit Teqja.

Në çdo ndeshje ku Sidibe është aktivizuar nga fillimi në kampionat, pra gjashtë të fundit, Partizani ka shënuar gjithmonë dy gola. Nëse më përpara tregohej se sulmi ishte si pikë e dobët, gjërat kanë ndryshuar sa i përket efikasitetit. Asnjë klub tjetër i Abissnet Superiore nuk po e gëzon këtë formë.

ECURIA E SIDIBES- Ndaj Vllaznisë erdhi debutimi, duke u rezervuar disa minuta në fund. Më pas përballë Elbasanit, Bylisit, Tiranës, Flamurtarit, Egnatias dhe Dinamos, janë parë në çdo ndeshje nga dy gola për Partizanin. Kështu bëhet fjalë për 12 gola në total ku në gjashtë prej tyre është Sidibe si protagonist.

Fillimisht asistoi ndaj Elbasanit, më pas shënoi dhe asistoi përballë Tiranës. Dhe kundër Flamurtarit, njëjtë si në derbi, ishte lojtari i ndeshjes. Kjo pasi realizoi dopietë golash duke përmbysur rezultatin.

Ndaj Egnatias la shenjën e tij sërish me gol. Sidibe vulosi rezultatin 2 me 0 për Partizanin, që në minutën e 14-të. Aty ku përfitoi nga pasimi i Skukës, që e nxori të vetëm me portën bosh.

Sfida me Dinamon e pa për 75 minuta në fushë, ndërsa pas largimit të tij duket se të kuqve u mungonte rrezikshmëria në sulm. 24-vjeçari, që numëron paraqitje me moshat e Belgjikës, ka lindur në Bregun e Fildishtë. Si produkt i akademisë së PSV-së, tashmë konsiderohet titullar i rëndësishëm në krahun e djathtë. Vetëm Isgandarli dhe Toma me nga pesë gola, qëndrojnë mbi të si lojtarë të Partizanit në renditjen e golashënuesve të kampionatit.

VLERËSIMI MESATAR I LOJTARËVE TË PARTIZANIT NË SUPERIORE

Screenshot 2026-03-12 162619

VLERËSIMET E SIDIBES NË SUPERIORE

Screenshot 2026-03-12 162638

VLERËSIMET E NDESHJES DINAMO-PARTIZANI(0-2)

vler

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL