Stadiumi në “flakë”, tension dhe festë. Çfarë ndodhi gjatë supersfidës Elbasani-Vllaznia
Në një “Elbasan Arena” të mbushur dhe me atmosferë elektrizuese, sfida mes Elbasanit dhe Vllaznisë nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli, por një përballje e mbushur me tension, incidente dhe momente të pazakonta që e mbajtën ritmin e lartë nga fillimi deri në fund.

– Ashtu siç pritej interesimi i tifozëve ka qenë shumë i madh, me afro 7 mijë të pranishëm. Nuk munguan as ata shkodranë, të cilët ishin të shumtë në numër.
– Tensionet nisin që në fillim, me tifozët vendas që kapen me Gurishtën. Madje, në minutën e 7-të loja ndalet pasi hidhen kapsolla në drejtim të tij. Musta shkon tek tifozët t’i qetësojë.
– Nuk mungojnë incidentet në tribunë mes tifozëve, teksa detyrohet të hyjë policia për t’i ndarë, madje shoqëruar edhe disa prej tyre jashtë stadiumit.
– Edhe në këtë ndeshje nuk mungoi lazeri, që shpesh herë u drejtohej lojtarëve në fushë, kryesisht atyre shkodranëve.
– Xhonatan Lajthia dëmtohet në kokë në momentin e shënimit të golit dhe detyrohet të fashojë kokën, për t’u rifutur sërish në fushën e lojës.
– Në fundin e pjesës së parë ndizen edhe blicat e celularëve në stadium, për të krijuar një atmosferë edhe më të bukur.
– Pjesa e dytë “nis” me dy topa. Xhaja, detyrohet ta largojë njërin prej tyre.
– Jago ankohet tek gjyqtari për fëmijët që japin topat, pasi po ia vononin atë gjatë një rivënie anësore.
– Xhaja i bën me dije drejtuesve elbasanas që nëse topat do vonohen nga fëmijët që kapin topat, do të ndërpresë ndeshjen.
– Në të 56-ën një kapsolle sjell ndërprerjen ndeshjes. Xhaja mbledh stafet dhe kërkon që të bëhet thirrje që të mos ndodhë më një gjë e tillë.
-Xhaja tërbon vendasit, teksa nuk ndal lojën për t’i dhënë ndihmën Lajthisë që shtrihet në tokë.
– Në fund të ndeshjes ka festë në rrugët e qytetit për këtë fitore që i jep Elbasanit kryesimin.
PANORAMASPORT.AL













