Spikasin Cara dhe Rrapaj, ja numrat e shitjeve të janarit nga Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2025 | 21:54

Spikasin Cara dhe Rrapaj, ja numrat e shitjeve të janarit nga Partizani

Partizani shiti katër lojtarë në janar, që deri në atë pikë ishin shtyllat e ekipit. Mba, Cara, Rrapaj dhe Hadroj u transferuan të gjithë në Ukrainë, ku gjërat padyshim nuk janë njësoj. Gjithsesi, për Carën dhe Rrapajn nisja ka qenë mjaft e mbarë, sepse të dy kanë fituar fanellë titullari.

cara

Cara me Oleksandrian ka nisur si titullar të shtatë sfidat e luajtura (473 minuta) deri më tani, ku ka dhuruar një asist, teksa paraqitjet e tij janë vlerësuar shumë dhe ka merituar çmimin “Lojtari i Muajit”. Skuadra e tij renditet e dyta. Edhe Rrapaj po shkëlqen me paraqitjet e tij te Kolos Kovalivka, duke u aktivizuar gjithashtu titullar në të shtata sfidat e skuadrës së tij. Ai ka grumbulluar në total 582 minuta, teksa ka dhuruar edhe dy asiste.

Vlonjati është pikë kyçe e skuadrës, që synon të mbijetojë në elitën e futbollit ukrainas. Skuadra e tij aktualisht renditet e 11-ta në kampionatin me 16 ekipe. Sakaq, më e vështirë duket se është situata për Andi Hadrojn, i cili nuk ka arritur të startojë asnjë nga sfidat e luajtura deri më tani me ekipin e Polisia Zhitomir.

Ai ka qenë vazhdimisht në stol, teksa para pak ditësh stafi e dërgoi të luante me ekipin e dytë, ku luajti 45 minuta. Sa i përket Mba, që luan një ligë më poshtë treshes më lart, është aktivizuar në vetëm dy sfidat zyrtare të luajtura nga Metalist deri më tani, por pa lënë shenjë.

PANORAMASPORT.AL