SOT, ORA 15:00/ Tirana për “hakmarrje”, Vora jetike për mbijetesën. Çdo gabim në këtë fazë të sezonit mund të kushtojë shumë shtrenjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2026 | 8:14

SOT, ORA 15:00/ Tirana për “hakmarrje”, Vora jetike për mbijetesën. Çdo gabim në këtë fazë të sezonit mund të kushtojë shumë shtrenjtë

Tirana zbret në fushë ndaj Vorës ditën e diel me një objektiv të qartë. Jo vetëm fitoren, por edhe “hakmarrjen” për rezultatet negative të këtij sezoni. Në tre përballjet e mëparshme mes dy skuadrave, bardheblutë kanë marrë vetëm një pikë, duke barazuar 1-1 në një rast, ndërsa janë mundur në dy ndeshjet e tjera me rezultatet 3-1 dhe 2-0.

Tirana-Bylis-1-0

Statistika që rëndojnë mbi Tiranën dhe e bëjnë këtë sfidë edhe më delikate. Por kjo ndeshje shkon përtej hakmarrjes sportive. Për Tirana, është një duel për mbijetesë në Superiore. Çdo gabim në këtë fazë të sezonit mund të kushtojë shumë shtrenjtë dhe të rrezikojë objektivin minimal të klubit. Një barazim, e aq më tepër një humbje, do të kishte efektin e një goditjeje të rëndë për moralin dhe renditjen, duke e vënë skuadrën në një pozitë tepër të vështirë.

Pikërisht për këtë arsye, presioni mbi lojtarët dhe stafin teknik është maksimal. Në këtë kontekst, sfida ndaj Vorës merr vlerat e një finaleje. Tirana nuk ka më hapësirë për llogari apo gabime, duhet të fitojë për të qëndruar në lojë dhe për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.

Objektivi – Nga ana tjetër, trajneri Orges Shehi ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra, duke e bërë të qartë se nuk ka vend për shpërqendrim në këtë fazë të kampionatit. Objektivi është i qartë dhe konkret, 9 pikë në tre ndeshjet e para të fazës së katërt. Një synim ambicioz, por që brenda klubit shihet si plotësisht i arritshëm, duke parë edhe kalendarin. Tirana e ka hedhur hapin e parë me sukses, duke mposhtur Bylisin, por tani vijnë dy prova të tjera ndaj skuadrave të fundtabelës, Vorës dhe Flamurtarit.

Pikërisht këto ndeshje konsiderohen si vendimtare për të marrë maksimumin dhe për të bërë një shkëputje nga zona e rrezikut. Në letër duken përballje të përballueshme, por presioni dhe rëndësia e pikëve i bëjnë sfida që duhen menaxhuar me shumë kujdes. Rikthimi i mundshëm i Tabekut dhe Xhixhës në formacion i jep Shehit më shumë siguri për të synuar maksimumin në këto përballje. Dyshja pritet të jetë çelësi i realizimit të objektivit, pasi në ndeshje të tilla shpesh diferencën e bëjnë episodet dhe cilësia individuale në repartin ofensiv.

FORMACIONI – Tirana është gati për sfidën e radhës ndaj Vorës, një takim që pritet të vendosë ritmin e skuadrës në vazhdim të sezonit. Trajneri Orges Shehi duket i vendosur të bëjë ndryshime të rëndësishme në 11-shen e nisjes, duke synuar të ruajë freskinë e lojtarëve dhe të krijojë më shumë kreativitet në fushën e lojës. Në mbrojtje, Kortez dhe Kresiç pritet të luajnë rol kyç në neutralizimin e sulmeve të kundërshtarit, ndërsa Vera dhe Ndong do të sigurojnë mbulimin anësor dhe lidhjen me mesfushën. Në mesfushë, kombinimi i Rafaelit, Patrikut dhe Kobiljar synon të kontrollojë ritmin e lojës, Alvarez të shpërndajë topin dhe të krijojë hapësira për sulmuesit.

Xhixha dhe Mehmetaj në sulm janë zgjedhjet kryesore për goditje të shpejta dhe finalizime, duke u mbështetur edhe nga përpjekjet e mesfushës për të krijuar aksione të rrezikshme. Shehi pritet të përdorë këtë ndeshje për të testuar disa lëvizje taktike dhe për të parë reagimin e lojtarëve në situata të ndryshme. Disa elementë të rinj në formacion mund të jenë një surprizë për Vorën dhe një mundësi për të rritur konkurrencën brenda skuadrës. Në këtë mënyrë, trajneri jo vetëm që kërkon fitore, por edhe të përgatitë ekipin për sfidat e ardhshme në kampionat. Për Tiranën, kjo ndeshje ka edhe një dimension psikologjik. Vora është një kundërshtar që kërkon të bëjë surpriza, dhe çdo gabim mund të kushtojë pikë të vlefshme. Për këtë arsye, koordinimi midis mbrojtjes dhe mesfushës, vendimmarrja e shpejtë dhe qartësia në aksione janë vendimtare.FR

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL