Skënderbeu, Takaj dhe Gjoka “shkundin” skuadrën në analizë
Skënderbeu ka lënë Korçën për t’u zhvendosur në Durrës atje ku korçarët do të vijojnë përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Tiranës. Pas mbërritjes në “Tropikal” ekipi ka zhvilluar një analizë me drejtuesit e klubit dhe stafin teknik, ku është munduar të ritet vetëbesimi në skuadër dhe morali i ekipit pas një periudhe tejet të vështirë.

Burime në klub bëjnë me dije për “Panorama Sport” se presidenti Takaj dhe trajneri Gjoka kanë folur në këtë analizë të radhës përballë ekipit, duke u munduar që të sjellin një frymë pozitive në klub. Vetë numri një i klubit korçar ka dashur të motivojë të tijtë duke kujtuar edhe një herë se ekipi, i cili është ndërtuar jo vetëm në fillim të sezonit, por edhe gjatë afrimeve të janarit ka besimin e plotë nga ana e drejtuesve.
Ndaj edhe për këtë skuadra duhet të jetë e qetë dhe të punojë fort, por nga ana tjetër lojtarët kyç të ekipit duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që i takojnë me qëllim që të çojnë ekipin në një tjetër nivel, duke e nxjerrë nga kjo situatë e vështirë ku ndodhet për momentin.
Ndryshe nga acarimi i pasndeshjes presidenti Takaj nuk ka pasur ngjyrime ndëshkimi në fjalimin e tij, por ka dashur vetëm të risë moralin e skuadrës. Teksa nga ana tjetër një humbje në këtë takim pritet që të ketë një tjetër gjykim sa i përket situatës në klub dhe mbi të gjitha pozicionit të skuadrës, që do të rrezikonte shumëçka në këtë pjesë të mbetur të sezonit.
Pas direktivave të presidentit ka qenë trajneri bardhekuq ai që ka dashur të drejtojë ekipin e tij në një tjetër pjesë të analizës, duke i kërkuar skuadrës që të jenë më të përqendruar dhe të përgjegjshëm për atë që do të tregojnë në fushë.
Gjoka ka menduar të ulë ekipin me “këmbë në tokë”, duke i kërkuar të lënë pas ndeshjen e fundit dhe mbi të gjitha të vlerësojnë maksimalisht ndeshjen me Tiranën, pasi sipas tij mungesat dhe situata në të cilën ndodhet ekipi bardheblu nuk duhet të krijojnë një ndjenjë superioriteti, por do të duhet që ekipi të japë më të mirën e mundshme për të marrë maksimumin.
E gjithë analiza ka përfunduar edhe me objektivin e vendosur nga bardhekuqtë në këtë takim që është të tregojnë se ende janë në garë dhe kurrsesi nuk janë dorëzuar sa i përket verdiktit përfundimtar të kampionatit, por ende besojnë te mbijetesa.
PANORAMASPORT.AL













