Situata te Partizani/ Gjetja e teknikut “zhbllokon” edhe… merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2025 | 21:54

Situata te Partizani/ Gjetja e teknikut “zhbllokon” edhe… merkaton

Partizani ka pasur katër afrime deri tani. Tre sulmues dhe një mbrojtës mund të quhen pak në krahasim me largimet e bëra. Të kuqtë po studionin tregun, në rast se do të kalohej turi i parë i Ligës së Konferencës.

partizani

Dështimi në Europë dhe largimi i trajnerit Gega më pas, ka bërë që Partizani të mos nxitohet për transferimin e lojtarëve. Ka mbetur dhe rreth një muaj nga mbyllja e merkatos. Nevojat aktualisht shfaqen nga mbrojtja në sulm. Krahu i djathtë i repartit difensiv nuk shfaq alternativa natyrale me përjashtim të Karlos Martinez.

Në anën tjetër ka pasur largime të mesfushorëve, por jo afrime. Me largimin e Zekës në korrik, si dhe dëmtimin e Kekos, Partizani po ashtu shfaq nevojë për përforcimin e repartit të sulmit. “Demat” ndërkohë nuk kanë shitur asnjë lojtar këtë verë, ndryshe nga vitet e kaluara. Sigurisht që nuk përjashtohet mundësia për të pasur lëvizje të tjera në dalje.

Çfarë e mban peng tani merkaton është edhe trajneri i ri. Nëse nuk do të ketë ndonjë afrim surprizë më parë, atëherë pritet që fillimisht tekniku të tregojë nevojat e tij për t’u plotësuar. Sido të jetë, në fund te Partizani janë të vendosur për të përforcuar grupin.

PANORAMASPORT.AL