Situata te Dinamo, disa dilema për Dajën para Partizanit
Stafi teknik i Dinamos do të mbyllë sot përgatitjet për derbin me Partizanin, që luhet të shtunën, në orën 16:30, në kryeqytet. Trajneri Ilir Daja po bën llogaritë e tij për formacionin dhe duket se ka disa dilema për momentin.

Lojtarëve që kanë pasur probleme fizike këtë periudhë u është shtuar edhe mesfushori Ardit Toli, i cili ka pasur një shqetësim muskulor dhe mbetet për t’u parë, nëse do të jetë gati për Partizanin apo jo. Mungon kapiteni Bruno Dita, i cili pas dëmtimi të pësuar para ndeshjes me Elbasanin, po bën terapi në Tiranë dhe në fundjavë do të udhëtojë drejt Serbisë për një rikuperim më të shpejtë.
Portieri Sali është ende në fazën e rikuperimit dhe me shumë mundësi nuk do të luajë as në derbin e së shtunës, ashtu si dhe mbrojtësi Rufati që ka kaluar një virozë dhe ishte jashtë skuadrës në Elbasan.
Për formacionin duket se Gudiabi do të kthehet titullar në mesfushë, por kandidat është edhe Jonuzi, kurse për pjesën e sulmit trajneri Daja do të vendosë pas seancës së fundit stërvitore se kush do t’i bashkohet Zabërgjës dhe Mandelës. Blutë kanë një grup të mirë lojtarësh dhe nuk mungojnë alternativat në stol.
PANORAMASPORT.AL













