Situata e turpshme në Elbasan me tifozët që nuk pyesin për klubin, policia mori në mbrojtje trajnerin Kërnaja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2026 | 21:56

Situata e turpshme në Elbasan me tifozët që nuk pyesin për klubin, policia mori në mbrojtje trajnerin Kërnaja

Ndeshja e djeshme mes Elbasanit dhe Partizanit në Kupën e Shqipërisë prodhoi tension jo vetëm për episodin e penalltisë që vendosi duelin në fundin e tij. Tifozët vendas ishin protagonistët negativë të këtij takimi.

kernaja

Gjatë të gjithë ndeshjes ata shenjestruan me fyerje e ofendime trajnerin e Partizanit, Oltijon Kërnaja, duke detyruar edhe gjyqtarin të ndërpriste ndeshjen dhe të kërkonte një paralajmërim me altoparlant. Një ndërprerje e kote, pasi tifozët nuk pyetën as për paralajmërimin e as për kapitenin  tyre, Kasa, i cili shkoi të bisedonte me ta në ato momente të ndërprerjes së sfidës, duke vazhduar fyerjet në kor.

Kështu, me tifozerinë e acaruar dhe dëshpëruar në fund të ndeshjes për shkak të humbjes së Elbasanit, polica vendosi të merrte në mbrojtje trajnerin Kërnaja pas fundit të sfidës. Forca të shumta policore u rreshtuan në fushë te pankinat në momentin e vërshëllimës përfundimtare duke iu druajtur ndonjë incidenti. Trajneri i Partizanit është shoqëruar më pas edhe jashtë stadiumit me forca të shumta policore pas sfidës dhe pas deklaratave ku ai e cilësoi të turpshme atë që kishte ndodhur me tifozët e Elbasanit.

PANORAMASPORT.AL