Shehi: Vora për fitore, emocionet do t’ia lemë jashtë fushës
Vora që në 6 ndeshje ka grumbulluar 7 pikë teksa ka arritur dy fitore një barazim dhe tre humbje, kërkon maksimumin e pikëve të dielën në “Elbasan Arena”, sepse kjo skuadër e ndërtuar për qëndresë dhe me synime në elitë kërkon të marrë sa më shumë nga kjo ndeshje kundër Elbasanit.
Vorakët me seancën e fundit që do të zhvillojë sot, do ti jap fund përgatitjeve të gjata para udhëtimit drejt Elbasanit. Duket se skuadra është disi më e plotë dhe më e qetë përsa i përket dëmtimeve, të cilave koha e gjatë në dispozicion u ka bërë mirë. Në këtë takim Vorës do ti mungojë vetëm Kevin Dalipi që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, ndërsa Ruzgis e Hasaj vazhdojnë të qëndrojnë larg fushës. Ndërkohë që futbollistët e tjerë janë të gjithë në pozicion për të pritur urdhrin e trajnerit Bellai.
Te Vora ka disa lojtarë elbasanas, që luajnë për këtë skuadër, e një prej tyre është dhe qendërmbrojtësi 28- vjeçar Dajan Shehi, që e ka sezonin e dytë me Vorën, duke rinovuar gjatë verës. Për të ndeshja kundër Elbasanit mbetet gjithmonë e veçantë dhe që ringjall emocione, por që sipas tij këto do të jenë jashtë fushës së futbollit dhe brenda 90-minutëshit fokusi i tij do të jetë ndihmesa dhe përkushtimi për ekipin e Vorës. Ai kërkon fitoren e ekipit të Vorës, e cila e ka vlerësuar shumë këtë përballje dhes e ndeshja kundër Elbasanit do të jetë mjaft e fortë. “Paraqitja e Vorës, deri në këto 6 javë ka qenë shumë e mirë, pavarësisht tri humbjeve të pësuara, Vora ka luajtur si e barabartë ndaj tyre, pa u ndjerë aspak inferiore dhe mund të ishte shumë pranë fitores.
Gjendja e skuadrës tashmë është mjaft e mirë, lojtarët janë ambientuar me skuadrat elitare, pasi shumica prej tyre e kanë provuar Superioren shumë herë të tjera para se të vinin te Vora. Të gjithë jemi të përkushtuar për t’i treguar vlerat tona trajnerit. Kundër Elbasanit na pret një ndeshje shumë e fortë, ku unë do të ndjehem para tifozëve emocionalisht dhe si ndeshje e veçantë, sepse vetë Elbasani më ringjall kujtime të viteve të fëmijërisë, por dhe shumë njerëzve të njohur. Ne do të japim maksimumin dhe për ta fituar ndeshjen.
Këtu tek Vora jemi disa lojtarë, që jemi lindur e rritur në Elbasan dhe për mua është një ndeshje speciale dhe duam të fitojmë si për shkak të objektivave që klubi ynë ka këtë sezon po ashtu edhe për ti treguar Elbasanit se Vora, është një ekip me potencial, presim të marrim një trepikësh si dhe t’i gëzojmë të gjithë tifozët e pranishëm me lojë të mirë”, ka thënë Dajan Shehi që mban numrin 33 në fanellën e Vorës.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













