ZYRTARE/ Mehidri ikën nga Korabi, portieri firmos me skuadrën e re
Portieri Jurgen Mehidri, pas përfundimit të bashkëpunimit me Korabin, ka vendosur ta vazhdojë karrierën në futbollin kosovar. Gardiani 28-vjeçar është zyrtarizuar si lojtar i ri i KF Trepça, klub që e ka prezantuar përmes një postimi në rrjetet sociale.

“KF Trepça ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me portierin Jurgen Mehidri. I lindur në vitin 1997 në Tiranë, Mehidri sjell me vete përvojë të konsiderueshme nga futbolli shqiptar, ku ka mbrojtur ngjyrat e skuadrave si Tërbuni, Laçi, Vllaznia, Besa Kavajë, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Korabit. Mirë se erdhe në familjen bardhezi e gjelbër, Jurgen!”, thuhet në njoftimin e klubit nga Mitrovica.
Ndërkohë, Korabi ka nisur prej ditësh përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa pas largimit të Mehidrit, porta e skuadrës dibrane pritet t’i besohet Leon Kozit. Ky i fundit iu bashkua Korabit në pjesën e dytë të sezonit të kaluar dhe konsiderohet favorit për të qenë portieri titullar në edicionin e ri.
A.DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













