Shehi: Ndaj Flamurtarit bëjmë detyrën që na takon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2025 | 23:21

Shehi: Ndaj Flamurtarit bëjmë detyrën që na takon

Dajan Shehi, qendërmbrojtësi vorak, 28-vjeçari nga Elbasani dhe që ka një përvojë 9-vjeçare në arenën e futbollit profesionit, duke provuar Superioren që në moshën 19 vjeçare me Teutën e më pas ka kaluar në sitën e 9 skuadrave të tjera si Besa e Kavajës, Hajduk Split, Kastrioti, Vllaznia, Partizani, Skënderbeu, Gjilani e së fundmi te Vora, por që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e kundërshtarit të kësaj jave Flamurtarit.

shehi

Gjithashtu është futbollisti, që nuk i ka munguar në asnjë ndeshje të këtij sezoni, duke u aktivizuar në 12 ndeshje me një minutazh prej 1080 minutash. Por ai është rrënduar nga kartonët e verdhë dhe duhet të bëjë kujdes në ndeshjen kundër Flamurtarit për të mos marrë një tjetër të verdhë, pasi ka seleksionuar deri tani 3 të tilla. Për “Panorama Sport” dha këtë intervistë…

U bëtë pjesë e Vorës që në kategorinë e parë dhe besuat projektin e saj, duke provuar më parë superligën kosovare?
Erdha te Vora pas një eksperience mjaft të bukur në kampionatin kosovar, te skuadra e Gjilanit, duke qenë mjaft i kënaqur nga kjo eksperiencë, pasi realizuam objektivat e klubit, po kështu kam provuar edhe eksperiencën kroate kur isha pjesë e Hajdukut të Splitit. Te Vora po rifitoj një tjetër eksperiencë ku në plan shihet përkushtimi i skuadrës në bazë grupi. Tani kur shoh se projekti po zbatohet dhe është në perspektivë për gjëra më madhore, kjo më tregon se unë nuk kam gabuar që kam zgjedhur këtë skuadër dhe këtë trajner.

Ju keni ndërruar shumë trajnerë gjatë karrierës tuaj. Si janë marrëdhëniet tuaja me trajnerin Bellaj, duke i krahasuar me paraardhësit?
Marrëdhëniet me trajnerin Bellaj janë të shkëlqyera, pasi ai ka krijuar një besueshmëri në aftësitë e mia dhe për rolin e qendërmbrojtësit, por njëkohësisht ka shfrytëzuar edhe përvojën time në elitën e futbollit shqiptar, duke më aktivizuar në çdo ndeshje të skuadrës së Vorës, e kjo sjell dhe një falënderim nga ana ime për këtë zgjedhje që ai ka bërë ndaj meje. Me të gjithë trajnerët kam qenë bashkëpunues dhe kam kaluar mirë, ndërsa me Bellajn marrëdhëniet tona janë edhe më të ngushta e gati, gati po trajtohemi si shok me njëri-tjetrin.

Po me drejtuesit e Vorës?
Sigurisht që janë marrëdhënie të mira e korrekte. Jo më kot e zgjodha këtë klub edhe pse ishte në Kategorinë e Parë, kur erdha në fillim. Siç e përmenda edhe më lart besueshmëria në projektin e tyre si dhe përvoja e një klubi serioz janë arsye që ne të kemi marrëdhënies shumë të mira me drejtuesit e klubit. Ka një president që bën gjithçka për futbollistët, duke u qëndruar pranë, qan hallet me ta dhe korrektësia e tij ka bërë që edhe ne futbollistët ta duam e ta respektojmë.

A po i shërben skuadrës përvoja dhe ndihmesa juaj?
Mendoj se po. Këtë po e tregojnë edhe ndeshjet e zhvilluara deri tani. Vora ka në përbërje një grup lojtarësh mjaft cilësorë dhe që kanë fituar një përvojë me ekipet elitare. Njohja e futbollistëve me njëri-tjetrin dhe stilet e tyre gjatë lojës e kanë bërë Vorën një ekip të konsoliduar. Po kështu eksperienca e përvoja e disa prej lojtarëve që ka Vora po bëjnë, që ekipi debutues të mos e ndjejë veten si inferior përballë çdo ekipi me emër e me tituj kampionësh. Edhe ndeshjet e luajtura deri tani kanë treguar se Vora nuk ka diferenca të mëdha me këto ekipe elitare.

Këtë fundjavë (konkretisht nesër) do të përballeni me Flamurtarin që së bashku keni udhëtuar nga Kategoria e Parë. Çfarë pritet nga skuadra juaj?
Vora po përgatitet për të dhënë maksimumin e për të marrë po aq. Ne në çdo ndeshje futemi me bindje për të mos nënvlerësuar asnjë ekip, po kështu as ta mbivlerësojmë atë. Synimi ynë në çdo ndeshje marrja e tre pikëve, pra futemi vetëm për fitore e kjo pritet edhe në takimin ndaj Flamurtarit, që është një kundërshtar edhe i njohur mirë nga ne. Shpresojmë që t’i marrim maksimumin kësaj ndeshje, pasi kemi një kundërshtar të fortë e të vështirë.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL