Sezon rekordesh, Alkaraz shkurorëzon Sinerin! Batuta e spanjollit: Janikun e shikoj më shumë se familjen
Karlos Alkaraz është “mbreti” i ri në Us Open dhe në renditjen botërore të tenisit. Kampioni spanjoll tregoi forcën e tij në finalen e turneut grand slam kundër Janik Sinerit, duke e rrëzuar italianin nga froni. Alkarazit i mjaftuan katër sete, për të triumfuar me rezultatin 3-1 në finale (2-6, 6-3, 1-6, 4-6), duke fituar Grand Slamin e tij të gjashtë, për ta marrë edhe kreun e klasifikimit ATP.

Gjithçka ndodhi në fushën e Arthur Ashe nën vëzhgimin edhe të Presidentit të SHBA, Donald Tramp dhe shumë yjeve të tjerë të artit botëror. Alkarazit i mjaftuan 2 orë e 44 minuta për t’i mbyllur llogaritë, duke bërë kështu të tijin trofeun e kompeticionit prestigjioz amerikan.
VLERËSIM MES KAMPIONËSH
“Karlos luajti më mirë se unë, unë dhashë maksimumin tim, më shumë se kaq nuk mund të bëja”, kështu Janik Sinner e nderoi fituesin Alkaraz, protagonist i një ndeshjeje në nivel shumë të lartë në finalen e US Open 2025. “Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm, jam shumë i lumtur që i ndaj këto momente me ekipin tim, familjen, miqtë”, shton italiani, i cili në vitin 2025 ka ndarë me spanjollin fitoret në turnetë Grand Slam:
Australian Open dhe Uimbëlldon për të, ndërsa Roland Garros dhe US Open për spanjollin. Ndërkohë Karlos Alkaraz ia ktheu fjalët e përzemërta duke iu drejtuar Sinerit kështu: “Janik, është e pabesueshme ajo që ke bërë këtë sezon, niveli i lartë që mban në të gjitha turnetë. Të shoh më shpesh se familjen time, është fantastike të ndaj me ty fushën dhe dhomën e zhveshjes dhe të përmirësohem çdo ditë duke u përballur me ty”, deklaroi tenisti spanjoll, i cili zbriti pas 36 javësh nga froni rivalin italian.
REKORD PIKËSH DHE TITUJSH
Tenisti nga Murcia ka kaluar për herë të parë pragun e 10.000 pikëve në një vit. Sezoni mbresëlënës i Alkarazit që nga muaji prill (tetë finale radhazi dhe gjashtë tituj, dy prej tyre ‘Grand Slam’) i ka lejuar të eksplorojë kufijtë e tij personalë. Karlitos tashmë i ka tejkaluar në pothuajse çdo aspekt statistikat e vitit 2023, i cili deri tani konsiderohej si sezoni i tij më i mirë si profesionist.
Dy vite më parë, Alkaraz e përfundoi sezonin me 65 ndeshje të fituara, gjashtë tituj dhe 8.855 pikë. Aktualisht, ai numëron 10.540 pikë, shtatë trofe dhe 61 fitore. Ky bilanc mund të përmirësohet edhe më tej në ndeshjet e ardhshme: ndaj Danimarkës në Kupën Davis, në Laver Cup në San Francisko, si dhe në turnetë e Tokios, Shangait, Paris-Bercy, ATP Finals në Torino dhe Finalen me 8 skuadra të Kupës Davis, nëse Spanja kualifikohet. Ndjekësi më i afërt i Alkarazit për sa i përket fitoreve gjatë këtij sezoni është Alexander Zverev, i cili renditet i dyti me 46 suksese, 15 më pak se fenomeni nga spanjoll.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













