Serxhio Emini: Lë pas të shkuarën, këtë sezon gjithçka për Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2025 | 19:26

Serxhio Emini: Lë pas të shkuarën, këtë sezon gjithçka për Bylisin

Bylisi në fundin e këtij muaji do të zbresë në fushën e stërvitjes, ku lojtarët të cilët janë nën kontratë janë të shumtë te ballshiotët. Madje, organika do të jetë e plotë pasi do të rikthehen afro 10 lojtarë që janë të huazuar në ekipe te tjera të së Dytës dhe të së Parës apo dhe nga ata që kanë qenë të dëmtuar.

Screenshot 2025-06-11 192644

Një nder ta është edhe Serxhio Emini, që mungoi për një kohë të gjatë në Superiore dhe duket se është gati, madje sapo të startojë faza do të bashkohet më grupin. Emini ka 5 vite në Ballsh dhe ka spikatur me gola, ndërsa këtë verë nis sezoni i 6-të për të ndërsa vlen të theksohet eksperienca e tij me mallakastriotët, sidomos sezonin 23-24 në Kategorinë e Parë, kur realizoi plot 12 gola në kampionat duke dhënë një kontribut të çmuar në ngjitjen në elitë.

Emini ka eksperiencën e duhur që këtë sezon të bëjë më të mirën, duke qenë se krahas Bylisi ka qenë edhe pjesë e ekipeve si Tomori apo Luftëtari. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 22-vjeçari nga Konispoli ka folur për formën që tashmë është rehabilituar si dhe synimet që ai ka me mallakastriotët në elitë.

“Jam duke kapur formën më të mirë dhe vij nga një tjetër periudhë pauze jashtë fushave. Shpresoj që të kenë kaluar dëmtimet për mua, sepse sa herë që jam në kulmin e formës ndodhin situata të pakëndshme. Kam punuar shumë, por sapo të startojë faza do të jem me grupin e skuadrës. Jam i bindur dhe kam besim se do të bëjmë më të mirën tonë, madje do të jemi një skuadër edhe më e fortë këtë sezon që vjen në elitë. Personalisht dua që të luaj sa më shumë, të shënoj gola dhe të lë gjurmë edhe në Superiore.

Kam pasur fatin e madhe që në Ballsh ka punuar me trajnerë dhe lojtarë nga më të mirët, brenda vendit e të huaj. Kjo më ka vlejtur që të kem më shumë eksperiencë dhe dua që ky të jetë sezoni im. Prandaj, me pak fat dhe ndihmën e Zotit, dua që të lë pas të shkuarën dhe me forca të shumta të kap formën ideale për të qenë sezoni im me Bylisin”, tha Serxhio Emini, sulmuesi i Bylisit.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL