Sa shumë të dëmtuar/ Lleshi mban “peng” merkaton, Elbasanit i mbushet infermieria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2025 | 23:45

Sa shumë të dëmtuar/ Lleshi mban “peng” merkaton, Elbasanit i mbushet infermieria

Humbja me Dinamon e largoi Elbasanin edhe më shumë nga vendi i katërt, sepse tani diferenca me rivalin më të afërt siç është Egnatia, ka shkuar në kuotën e tetë pikëve. Për këtë arsye, sfida me blutë shihej si tepër jetike për elbasanasit që të mbanin gjallë shpresat për një vend në “Final 4”, por në fund verdheblutë dolën pa pikë.

LLESHI

Tani u duhet gati një mrekulli për të arritur këtë pozicion dhe njëkohësisht të gabojnë kundërshtarët mbi ta, për të pretenduar më pas edhe ngjitjen në klasifikim. Për këtë arsye, humbja e së dielës nuk ka vlejtur vetëm tri pikë më pak, por ashtu si shkuan gjërat, ka vlejtur sezonin.

SULMI NË INFERMIERI – Përpos humbjes në këtë 90- minutësh, Elbasani ka humbur shumë edhe në skuadër. Thuhet kështu, pasi ekipi i Ivan Gvozdenoviç ka mbetur tanimë pa sulm, ku tre futbollistë ndodhen në infermieri. Pas Ze Gomesh që vijon të ketë probleme me dëmtimet, ajo që i ka dëmtuar më shumë është edhe dëmtimi i njeriut të momentit, Arsen Lleshi.

25-vjeçari la fushën i dëmtuar pas vetëm katër minutash lojë si pasojë e një ndërhyrjeje të ashpër nga Rustem Hoxha dhe gjasat janë që të qëndrojë të paktën disa ditë stop. Në fund të ndeshjes, ai është parë të ecë duke çaluar, ndërsa këto dy ditë pritet të bëjë edhe rezonancën që të kuptojë shkallën e dëmtimit në gju. Po i dëmtuar la fushën e lojës edhe zëvendësuesi i tij, Amarildo Gjoni, gjithashtu si pasojë e një ndërhyrjeje në fushë nga kundërshtari.

Edhe për të pritet që të mësohet më shumë rreth shkallës së dëmtimit. Po t’i shtojmë këtu edhe dëmtimin e Xhonatan Lajthisë që nuk luan prej disa ndeshjes, shkon në katër numri i lojtarëve të fazës ofensive që janë stopuar. Sulmuesi i vetëm që ka mbetur në dispozicion është Blaise Tsague, i cili duhet të mbahet fort që të paktën të jetë në dispozicion të Gvozdenoviç në këtë moment kritik me dëmtimet e fazës ofensive.

LLESHI& ZE GOMESH – Dy sulmuesit kryesorë të Elbasanit janë Arsen Lleshi dhe Ze Gomesh. Kjo, për vetë faktin se janë dy prej lojtarëve që kanë shënuar më shumë gola. Përkatësisht elbasanasi me shtatë rrjeta dhe portugezi me pesë të tilla, duke u përkthyer në 12-të gola nga 25 në total që kanë shënuar verdheblutë këtë kampionat.

Praktikisht llogaritet që gjysma e golave kanë ardhur nga këmbët e tyre dhe me mungesën në fushën e lojës Elbasani humbet shumë në fazën ofensive. Mbetet për t’u parë sesa të gjata do t’i kenë mungesat, që të paktën njëri prej tyre të rikthehet sa më parë, sepse në të kundërt verdheblutë mund të tentojnë të rifuten sërish në merkato për të gjetur sulmues.

V.MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"