Sa shumë ngjashmëri mes vitit 2018 dhe 2025, mesazhi i Gegës: Merito fanellën e kuqe!
Partizani po punon për të rikthyer identitetin. Zhgënjimi i sezonit të fundit ku u rrezikua pjesëmarrja në Europë, ka bërë që Skënder Gega të mendojë pozitat e secilit lojtar.
Partizani i kësaj vere po kalon një periudhë thuajse identike me atë të vitit 2018. Shumë largime, ndërsa afrimet janë bërë me pikatore, sepse po kërkohen profile që bëjnë diferencën. Gega udhëhiqte një skuadër që i jepte tonin futbollit shqiptar në sezonin 2018-‘19. I njëjti synim është sërish për të kuqtë. Ka shumë ngjashmëri në fillimet e dy epokave të Partizanit me Gegën dhe trajneri i Partizanit po tregon se është me dorë të hekurt, kur bëhet fjalë për të ndërtuar skuadrën e tij.
“Panorama Sport” sjell listën me lojtarë, që nuk u mbajtën në ekip për fillimin e kampionatit në sezonin 2018- ‘19. Këtu nuk janë përfshirë futbollistë si Batha dhe Kotobelli, të larguar para emërimit të Gegës, apo Fejzullahi që kishte zgjedhur të ndante rrugët pas përfundimit të kontratës.
Gega është treguar i vendosur jo vetëm gjatë verës, por edhe me largimet ndërsa kampionati vijonte, ku spikasin ato në merkaton e dimrit. Fakt është që shumica e lojtarëve nuk kanë pasur karrierë të pasur më pas. Në anën tjetër, Gega justifikoi projektin duke u shpallur kampion dhe Partizani nuk ishte pak, por 11 pikë para Kukësit në fund të 36 javëve. 2018- Skënder Gega emërohej pas një sezoni mjaft të vështirë. Projekti i mëparshëm kishte dështuar, ndërsa të kuqtë morën pjesë në Europë vetëm falë dënimit të Skënderbeut. Me Gegën në krye, lojtarë si Mala, Bardhi dhe Asani krijuan “BAM” e famshëm. Shumë largime, që më parë patën mundësinë të përfaqësonin Partizanin në Europë dhe nuk e bindën Gegën.
Titulli kampion u rikthye pas 26 viteve, edhe pse pakkush mund ta besonte në fillim. 2025- Në intervistën e Gegës për gazetën pak ditë më parë, mund të vërehet qartë fryma që dëshiron të injektojë. Është pikërisht ajo e verës së vitit 2018, kur Partizani nisi një cikël fitues. Mesazhi është i qartë: Secili lojtar duhet të meritojë fanellën e Partizanit. Qoftë edhe në stol. Deri tani janë 11 largime, ndërsa një tjetër mbetet për t’u konfirmuar.
Agim Zeka shikohet larg Partizanit, pasi mori pjesë në fazën përgatitore të Ohrit. Katër lojtarë, kanë firmosur për klube të tjera. Vetëm Henri Zuna ka mbetur në Superiore. Mbrojtësi i djathtë firmosi për Vorën. Në anën tjetër Gjelbrim Taipi u transferua te Prishtina, Padstrelau u rikthye te Dinamo Minsk, ndërsa Rodrigo Piloto qëndroi me Atletik D’Eskaldes. Çfarë bie në sy është se tre emrat e fundit do të luajnë në Europë njësoj si do të bënin po të ishin te Partizani.
AVANTAZHI- Gega ka një avantazh më të madh se në vitin 2018. Asokohe emërohej më 18 qershor dhe i mungonte koha e duhur, që të përgatiste si duhet ekipin për Europën. Përndryshe tani, duke qenë prej muajit mars në krye të skuadrës, Gega ka pasur kohë për të parë secilin nga lojtarët në fushë. Kjo është edhe arsyeja e vendimeve të tij. Loja e Partizanit zhgënjeu në gjysmën e parë të këtij viti. Për këtë ishte i nevojshëm një revolucion brenda skuadrës. Përgjegjësia mund të konsiderohet më e madhe tashmë për Gegën, pasi edhe besimi është më i lartë.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













