Rivalët duhet të shqetësohen, Egnatia ka ndezur motorët më shpejt se sezonin e kaluar
Egnatia fitoi 1-0 ndaj Tiranës në këtë javë në Superiore dhe u kthye në kreun e klasifikimit, të cilin për momentin e ndan me Elbasanin. Por rivalët e rrogozhinasve në luftën për titull, kanë arsye pse të shqetësohen.

Forma e këtij sezoni e skuadrës së drejtuar nga Edlir Tetova është më e mirë se ajo që ka shfaqur në sezonin e mëparshëm, të cilin e mbylli duke ngritur lart trofeun. Aktualisht Egnatia është në kuotën e 25 pikëve në kampionat, me një golavarazh 16-8.
Një vit më parë në këtë pikë të sezonit, Egnatia kishte vetëm 20 pikë dhe një golavarazh më të keq në të gjitha drejtimet pasi kishte shënuar 14 herë dhe kishte pësuar 11 gola në 13 javët e para. Duket se rrogozhinasit kanë përmirësuar statistikat e tyre në këtë sezon, ndryshe nga viti i kaluar kur u “zgjuan” në pjesën e dytë të tij për të rikuperuar dhe për të bërë shkëputjen për play-off.
Formula e re e “Final Four” e cila vlerëson në mënyrë tjetër pikët e siguruara në kampionat për katërshen e parë, duket ka bërë që Egnatia të ndezë që tani motorët dhe të kërkojë shkëputjen sa më shpejt, për të siguruar bonuse të rëndësishme për pjesën e kampionatit kur vendoset trofeu.
PANORAMASPORT.AL













