54 vite histori dhe krenari për futbollin mallakastriot, Bylisi bëhet gati për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2026 | 12:41

54 vite histori dhe krenari për futbollin mallakastriot, Bylisi bëhet gati për sezonin e ri

Bylisi ka përkujtuar 54-vjetorin e pjesëmarrjes së tij në garat zyrtare të futbollit shqiptar, datë që lidhet me 14 korrikun e vitit 1972. Edhe pse skuadra u zyrtarizua në atë vit, historia e futbollit në Ballsh nis shumë më herët.

BYLIS

Që në vitet e para të krijimit të qytetit, të rinjtë e Mallakastrës, të udhëhequr nga pasioni dhe dashuria për lojën, hodhën themelet e ekipit, ndonëse përpjekjet e para nuk arritën të konkretizoheshin. Futbolli në Mallakastër ka rrënjë të hershme, të lidhura ngushtë me historinë e qytetit antik të Bylisit, një prej vendbanimeve më të lashta në Ballkan. Gjatë viteve, skuadra mbajti emrat “13 Korriku”, më pas “14 Korriku”, përpara se të merrte emrin që mban edhe sot, Bylis. Në më shumë se pesë dekada, klubi ka ndërtuar një histori të pasur, të mbushur me sakrifica, suksese dhe krenari, duke u shndërruar në simbol të futbollit të Mallakastrës. Në historikun e tij, Bylisi numëron disa arritje të rëndësishme: 5 tituj kampion në Kategorinë e Parë; 2 tituj kampion në Kategorinë e Dytë; 2 tituj kampion në Kategorinë e Tretë;

Finalist i Kupës së Shqipërisë; Dy pjesëmarrje në kompeticionet europiane (1999 dhe 2001). Nga themelimi në vitin 1972 e deri te netët europiane, Bylisi ka mbetur një prej klubeve më të respektuara të futbollit shqiptar, duke shkruar vazhdimisht faqe të rëndësishme të historisë së tij. Sot filozofia e klubit ka ndryshuar. Bylisi është shndërruar në një nga akademitë më produktive në vend, duke nxjerrë vazhdimisht futbollistë cilësorë. Shumë prej talenteve të formuar në Ballsh kanë kaluar te klubet e Superiores, ndërsa të tjerë kanë vijuar karrierën jashtë Shqipërisë. Klubi ka investuar edhe në infrastrukturë dhe konsiderohet një nga modelet më të mira të organizimit në jug të vendit. Nëpërmjet kanaleve zyrtare, Bylisi kujtoi këtë përvjetor të rëndësishëm, ndërsa tifozët nostalgjikë nuk kursyen urimet dhe mesazhet e tyre, me shpresën se skuadra do të rikthehet sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar dhe një ditë do të përjetojë sërish emocionet e garave europiane.

Sezoni i ri- Drejtuesit po punojnë për ndërtimin e skuadrës së re. Futbollistët e huaj pritet t’i bashkohen grupit në ditët në vijim, ndërsa në fillim të javës së ardhshme ekipi pritet të nisë zyrtarisht përgatitjet. Objektivi është që deri në fund të muajit korrik grupi të jetë pothuajse i plotësuar, ndërsa gjatë gushtit trajneri të ketë në dispozicion një skuadër të konsoliduar. Nuk përjashtohen edhe disa goditje të tjera në merkato, ndërsa Bylisi planifikon të zhvillojë 6-7 ndeshje miqësore përpara nisjes së kampionatit, me synimin për t’u paraqitur sa më konkurrues në sezonin e ri.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL