Bisedimet kanë hyrë në fazën finale, ja kur pritet të prezantohet Klop te kombëtarja e Gjermanisë
Përpjekjet e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) për të emëruar Jurgen Klop si trajnerin e ri të kombëtares po ecin sipas planit. Kandidati kryesor pritet të prezantohet si pasuesi i Julian Nagelsman që javën e ardhshme.

Presidenti i DFB, Bernd Nojendorf, dhe zëvendësi i tij, Hans Joakim Vatzke, arritën të martën një marrëveshje me drejtorin ekzekutiv të Red Bull, Oliver Mintzlaf, lidhur me kuadrin e largimit të Klopit, i cili aktualisht është nën kontratë me kompaninë në postin e Shefit Global të Futbollit deri në vitin 2029. Edhe pse detajet nuk u bënë publike, thuhet se është gjetur një zgjidhje që i lejon të gjitha palët të ruajnë reputacionin.
Megjithatë, përpara se të arrihet marrëveshja përfundimtare, të dyja palët kanë ende disa çështje për të zgjidhur. Të mërkurën, Nojendorf dhe Vatzke ishin planifikuar të merrnin pjesë në një seancë informuese me Këshillin Mbikëqyrës dhe mbledhjen e aksionarëve të DFB, ku do të raportonin mbi rezultatet e bisedimeve me Mintzlaf dhe negociatat me Klopin dhe agjentin e tij Anëtarët e këtyre dy organeve do të marrin vendimin përfundimtar për emërimin e trajnerit të ri të kombëtares.
Nga ana tjetër, Mintzlaf planifikon të zhvilloj një takim përfundimtar me Klop gjatë finales së Kupës së Botës në Nju Jork. Në këtë takim pritet të diskutohet se si dhe në çfarë mase trajneri mund të vazhdoj të kontribuoj me përvojën e tij në projektet sportive të Red Bull edhe pas largimit zyrtar. Mintzlaf nuk kishte ndërmend ta mbante Klopin si ambasador të markës, siç ishte përfolur javën e kaluar.
Gjithashtu, mbetet për tu sqaruar edhe e ardhmja e punonjësve që iu bashkuan Red Bull kryesisht për shkak të ardhjes së Klopit një vit e gjysmë më parë. Klop pritet të nënshkruaj një kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri në Kupën e Botës 2030. Ende nuk dihet nëse kjo kontratë do të përfshij një klauzolë largimi në rast të një eliminimi të hershëm në EURO 2028, që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, apo edhe në rast të moskualifikimit për turneun.
Kur kontrata e Nagelsman u zgjat në fillim të vitit 2025, drejtuesit e DFB kishin parashikuar një skenar të tillë vetëm në rast eliminimi në fazën e grupeve. Për këtë arsye, pas humbjes ndaj Paraguait, u deshën negociata për një paketë dëmshpërblimi që arrinte në disa milionë euro.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL













