Goleada e Egnatias në Europë, trajneri Dede: Ishte karma, duhet të ribëj një skuadër të re ashtu siç veprova për finalet e “Final Four”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2026 | 9:06

Goleada e Egnatias në Europë, trajneri Dede: Ishte karma, duhet të ribëj një skuadër të re ashtu siç veprova për finalet e “Final Four”

Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, u shfaq i kënaqur pas kualifikimit historik të skuadrës në turin e dytë të Ligës së Kampioneve, duke vlerësuar paraqitjen e futbollistëve të tij dhe mënyrën se si ekipi interpretoi ndeshjen. Tekniku rrogozhinas theksoi se skuadra po ndërton një identitet të qartë loje dhe se paraqitja ndaj Petrokubit është një tjetër hap përpara në rrugëtimin europian.

dede

“Patëm pak fat me thënë të drejtën, e zhbllokuam ndeshjen shumë shpejt, shënuam dy gola me goditje standarte, ndoshta karma, se herën e kaluar iu falëm një gol në sekondat e para, ndërsa Zoti na e ktheu mbrapsht, por në përfundim e menaxhuam mirë, shpresoj mos kemi lëndime. Vijmë nga një periudhë e vështirë, për 3 javë duhet të bëheshim gati për këtë përballje, gjithsesi në fund më kënaq rezultati dhe shënimi i golave për punën e të gjithëve”, tha fillimisht trajneri.

“Me bllokun e mesëm nuk është turp që Egnatia të luajë futboll, jo vetëm në Kupat e Europës, por edhe në kampionatin shqiptar. Po shohim skuadra të mëdha në futbollin botëror që luajnë në këtë mënyrë dhe nuk kanë turp të ruajnë distancat, të jenë kompakte dhe të kenë strukturën e duhur. Më pas, nëse ke cilësi, mund të nisesh nga çdo pozicion i fushës dhe ta godasësh kundërshtarin. Plus, me bllokun e mesëm duhet të jemi të përgatitur, sepse koeficienti i kundërshtarëve në Europë do të rritet gjithmonë e më shumë. Do të jetë më e vështirë dhe ne duhet të mësohemi të vuajmë, por edhe të bëjmë sa më pak gabime. Edhe në këtë ndeshje ka ende gjëra që mund t’i përmirësojmë”.

“Rrotacioni që bëri Lukili me Haimen na dha një mundësi tjetër për të dalë, siç ndërtua, golin e dytë. Jam i lumtur për djemtë dhe mënyrën se si ata e interpretuan ndeshjen. Në disa momente zbritëm poshtë Kryeziun, që të nxirrnim jashtë dy sulmues të tyre. Besoj që në momente të caktuara mirë, më pas ra disi ritmi, nuk e kemi on top të gjithë grupin, siç gjeta për të bërë finalet e “Final Four”-it, duhet të bëj një skuadër tjetër sepse janë shumë prurje, 8-9 lojtarë të rinj dhe këta janë titullar, në formacion”, deklaroi Dede për RTSH.

Trajneri bardhejeshil e ktheu menjëherë vëmendjen te kundërshtari i radhës, Çelje, duke pranuar se tashmë niveli i garës rritet edhe më shumë.

PANORAMASPORT.AL