TURI I FRANCËS 2026/ Çiklisti norvegjez fiton në Nevers, Pogacar ruan kryesimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2026 | 12:27

TURI I FRANCËS 2026/ Çiklisti norvegjez fiton në Nevers, Pogacar ruan kryesimin

Soren Waerenskjold është fituesi i etapës së 11-të të Turit të Francës 2026. Çiklisti norvegjez i skuadrës Uno-X Mobility triumfoi në sprintin final të zhvilluar në Nevers, duke lënë pas Olav Kooij të Decathlon CMA CGM Team dhe Milan Fretin të Cofidis.

32

Për Waerenskjold kjo ishte fitorja e parë në karrierë në Turin e Francës, një sukses i rëndësishëm në skenën më të madhe të çiklizmit botëror. Etapa prej 161,3 kilometrash nga Vichy në Nevers ishte një nga ato ditë tranzicioni të Turit, ku pretendentët për klasifikimin e përgjithshëm patën mundësinë të ruanin energjitë. Terreni relativisht i lehtë, me vetëm 1.400 metra ngjitje, favorizoi një përfundim në sprint dhe skuadrat e sprinterëve morën kontrollin e garës.

Në kilometrat e parë u shkëput një grup prej katër çiklistësh, me Julian Alaphilippe, Nelson Oliveira, Anthon Charmig dhe Mathis Le Berre, por avantazhi i tyre nuk arriti të rrezikonte pelotonin. Le Berre fitoi sprintin e ndërmjetëm në Saint-Pourçain-surSioule, ndërsa Charmig mori pikët në dy ngjitjet e kategorisë së katërt. Skuadrat e sprinterëve e mbajtën ritmin të lartë dhe i rikapën të gjithë të shkëputurit vetëm pak kilometra para finishit.

Në rrugët e Nevers, gjithçka u vendos në sprintin masiv, ku Waerenskjold realizoi shpërthimin perfekt dhe siguroi fitoren përpara rivalëve të tij. Në klasifikimin e përgjithshëm nuk pati ndryshime. Tadej Pogacar vazhdon të mbajë fanellën e verdhë me avantazhin prej 3 minutash e 36 sekondash ndaj Jonas Vingegaard. Për sllovenin kjo ishte hera e 61-të që vesh fanellën më prestigjioze të Turit të Francës, duke kaluar Miguel Indurain në renditjen historike. Rekordin e mban ende Eddy Merckx me 111 fanella të verdha, i ndjekur nga Bernard Hinault me 79. Sot do të jetë radha për etapën e 12-të, një tjetër garë favorizuese për sprintierët.

0

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL