Stop planeve në pjesët intime gjatë garave, atletika kundër sek*ualizimit
Nuk do të lejohen më pamjet nga kënde të ulëta, zmadhimet e panevojshme dhe të papërshtatshme, pamjet me ngadalësim pa vlerë teknike apo planet e afërta të zgjatura. Sportistet janë para së gjithash atlete dhe jo objekte për t’u ekspozuar.
Përtej këmbëve të tyre të stërvitura qëndrojnë talenti, përgatitja dhe performanca sportive. Prandaj, ato nuk duhet të filmohen në mënyrë provokuese, të papërshtatshme apo jashtë kontekstit të garës. Në të gjithë Europën janë prezantuar udhëzime të reja për transmetimet televizive, me synimin për të parandaluar seksualizimin e sportisteve përmes këndeve të kamerës, pamjeve dhe ripërsëritjeve me ngadalësim që nuk kanë domethënie sportive, por shërbejnë vetëm për të theksuar pamjen fizike në vend të veprimit atletik.
MARRËVESHJA Unioni Europian i Transmetuesve (EBU) ka bashkëpunuar me Federatën Europiane të Atletikës (European Athletics) për të nisur këtë nismë, duke u bërë thirrje ekipeve televizive që ta zhvendosin fokusin nga trupi te sporti. Udhëzimet e reja për regjisorët televizivë janë të qarta: jo plane të afërta të zgjatura, jo filmime nga poshtë dhe jo ripërsëritje me ngadalësim që nuk kanë vlerë teknike ose, edhe më keq, rikthejnë në ekran pamje komprometuese. Këto rregulla janë hartuar veçanërisht për disiplina si kërcimi së larti, kërcimi me shkop dhe kërcimi së gjati, ku shpesh janë transmetuar pamje të afërta nga prapa sportisteve.
MBËSHTETJA E SPORTISTEVE Ndryshimet janë përkrahur fuqishëm nga vetë sportistet, mes tyre edhe kërcyesja britanike me shkop, medaliste olimpike, Holly Bradshaw. Ajo ka deklaruar se këndet ndërhyrëse të kamerave shpesh i shpërqendrojnë atletet në momentet vendimtare të garës, ndërsa pamjet me ngadalësim përdoren shpesh nga persona keqdashës në internet për të krijuar video të papërshtatshme. Udhëzimet tashmë janë vënë në dispozicion të transmetuesve që mbulojnë garat e atletikës për femra. Sipas EBU-së, transmetimet duhet të përqendrohen te aftësitë teknike të sportisteve dhe te rrëfimi tërheqës i garës, duke e vendosur në qendër performancën sportive dhe jo pamjen fizike.
PANORAMASPORT.AL













