Analiza/ Sa fuqi ka Vinsent Kompani në proceset vendimmarrëse te Bajerni i Mynihut?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2026 | 12:03

Analiza/ Sa fuqi ka Vinsent Kompani në proceset vendimmarrëse te Bajerni i Mynihut?

Nën drejtimin e Vinsent Kompani, Bajerni ka bërë një hap të dukshëm përpara gjatë dy viteve të fundit. Kjo po vlerësohet siç duhet edhe nga drejtuesit e klubit. Sipas raportimeve, teknikut belg po i jepet më shumë liri veprimi sesa shumë prej paraardhësve të tij.

kompani

Pas disa emërimeve zhgënjyese në stol në vitet e fundit, Bajerni më në fund goditi në shenjë me emërimin e Kompani në verën e vitit 2024. Belgu është pritur mirë në Mynih, si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë profesional, si nga skuadra ashtu edhe nga drejtuesit e klubit. Pikërisht për këtë arsye, ish futbollisti gëzon një besim shumë më të madh nga drejtuesit sesa shumë prej paraardhësve të tij.

Sipas Sport Bild, Kompani tashmë ka një ndikim edhe më të madh në vendimmarrje sesa kishte dikur Pep Guardiola. Raportohet se sot pothuajse asnjë vendim i rëndësishëm nuk merret pa u konsultuar më parë me trajnerin. Kjo vlen edhe për transferimet. Kompani, për shembull, ishte shtysa kryesore pas afrimit të Nathaniel Braun dhe Ismael Saibarit, për të cilët klubi shpenzoi së bashku mbi 100 milionë euro. Megjithatë, ndikimi i Kompani nuk kufizohet vetëm te transferimet. Sipas Sport Bild, ai ka pothuajse dorë të lirë edhe në planifikimin afatgjatë të skuadrës dhe në përcaktimin e filozofisë së lojës. Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu te Bajerni.

Në të kaluarën, një zë i njohur nga Tegernze ndërhynte shpesh në këto çështje. Edhe pse kjo ndodh ende në një farë mase, belgu gëzon një nivel besimi shumë më të madh sesa shumë trajnerë të mëparshëm. Një tjetër element që e favorizon Kompani është fakti se, pavarësisht lirisë që ka, ai mbetet modest dhe dëgjon kur drejtuesit i japin këshilla apo sugjerime. Kjo nuk ka qenë gjithmonë karakteristikë në Mynih. Louis van Gal ishte shembulli më i njohur i një trajneri që nuk pranonte lehtë mendimet e të tjerëve dhe kërkonte të impononte idetë e veta. Sipas Sport Bild, kjo nuk ndodh aspak me trajnerin aktual.

PANORAMASPORT.AL