Kapiteni i Dinamos beson te mrekullia ndaj Astanës: Kemi mundësi ta kthejmë rezultatin
Naser Aliji beson se Dinamo ka mundësi të përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit ndaj Astanës, e vlefshme për Ligën e Konferencës. Mbrojtësi i bluve pranon se përballja në transfertë do të jetë e vështirë, por thekson se skuadra shqiptare do të zbresë në fushë me besim dhe optimizëm.

“E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne besojmë te vetja jonë. Besojmë se kemi mundësi që ta kthejmë rezultatin e ndeshjes së parë”, u shpreh Aliji para sfidës.
Futbollisti i Kombëtares shqiptare evidentoi edhe pikat ku skuadra duhet të jetë më e kujdesshme, duke vënë theksin te kundërsulmet e kazakëve dhe shmangia e gabimeve.
“Mendoj se duhet të kemi shumë kujdes për kundërsulmet e kundërshtarit dhe duhet të përpiqemi të gabojmë sa më pak në këtë ndeshje. Jemi optimistë”, deklaroi ai.
I pyetur nëse ka marrë informacion nga Nazmi Gripshi, Aliji zbuloi se nuk ka pasur një bisedë të fundit për këtë përballje.
“Jo, nuk kam folur me të tani për ndeshjen tonë me Astanën. Kam folur më parë, kur ai luante këtu dhe më ka thënë vetëm fjalë shumë të mira për Astanën”, përfundoi mbrojtësi.
PANORAMASPORT.AL













