Tifozët ngrenë alarmin për të ardhmen e skuadrës beratase, ish-futbollisti i Tomorit inicion një takim me kryebashkiakun
Mungesa e informacionit zyrtar gjatë kësaj periudhe pushimi ka rritur ndjeshëm shqetësimin në radhët e tifozëve të Tomorit, të cilët po organizohen për të zhvilluar një takim me kryebashkiakun e Beratit, Ervin Ceca.

Qëllimi i këtij takimi është të mësojnë se cili do të jetë projekti për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Heshtja e deritanishme nga drejtuesit e klubit ka shtuar pasigurinë te tifozët, të cilët kërkojnë një informacion zyrtar nga kryebashkiaku, i cili, për shkak të detyrës, mban edhe statusin e presidentit të Tomorit. Për “Panorama Sport” ka folur ish-futbollisti veteran i Tomorit, 85-vjeçari Jani Pjetri, i cili shoqëron skuadrën në ndeshjet brenda dhe jashtë fushe dhe ka marrë iniciativën për të kërkuar këtë takim. “Kam ndërmarrë këtë iniciativë së bashku me disa tifozë të njohur të skuadrës sonë, sepse po përjetojmë një lloj terri informativ nga strukturat përgjegjëse.
Ende nuk dimë kush do të jetë stafi teknik dhe kur do të nisin përgatitjet zyrtare. Mendoj se përgjigjen më të saktë mund ta japë vetë kryetari i bashkisë, pasi ai është përgjegjësi kryesor për mbarëvajtjen e Tomorit. Të njëjtin shqetësim që po e ndaj me ‘Panorama Sport’ do t’ia paraqes edhe në zyrë. Ne duam vetëm të mos përsëritet situata e sezonit të kaluar, kur skuadra u ndërtua në prag të kampionatit. Pas dy sezoneve të dështuara, kërkojmë një Tomor pretendent”, përfundoi Pjetri.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













