Naftëtari në fazë konsultimesh, administratori Buçka zbardh planin e klubit në 100-vjetorin e themelimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2026 | 15:05

Naftëtari në fazë konsultimesh, administratori Buçka zbardh planin e klubit në 100-vjetorin e themelimit

Ndryshe nga heshtja që ka shoqëruar këtë periudhë te disa klube, në Kuçovë kanë nisur lëvizjet e para për sezonin e ri. Edhe pse futbollistët vijojnë të jenë me pushime, administrata e Naftëtarit po punon për ndërtimin e projektit të kampionatit të ardhshëm, një sezon me rëndësi të veçantë, pasi përkon me 100-vjetorin e themelimit të klubit.

Naftetari

Për “Panorama Sport”, administratori i Naftëtarit, Niko Buçka, ka zbuluar se drejtuesit janë në fazën e konsultimeve dhe se vendimet zyrtare nuk do të vonojnë. “Gjithçka po e studiojmë me shumë kujdes. Po punojmë mbi projektin për rindërtimin e skuadrës për sezonin e ri, duke zhvilluar konsultime të gjera me specialistë të futbollit, me qëllim që të marrim vendimet më të mira. Përgjegjësia është edhe më e madhe këtë vit, pasi Naftëtari feston 100-vjetorin e themelimit.

BUCKA NAFTETARI

Njëkohësisht, dëshirojmë të kënaqim edhe sportdashësit e shumtë të Naftëtarit, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetja më e madhe e skuadrës. Shumë shpejt do të marrim vendimet për stafin teknik dhe për ndërtimin e ekipit. Nuk duam të nxitohemi, por të punojmë me përgjegjësi. Së bashku me kryebashkiakun, i cili është edhe president i klubit dhe është shumë i interesuar për të ardhmen e Naftëtarit, besoj se do të arrijmë rezultate pozitive”, u shpreh administratori Niko Buçka.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL