Rikthimi te fitorja, Rabiu: Hoqëm stresin, Skënderbeu do të mbijetojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2025 | 18:54

Rikthimi te fitorja, Rabiu: Hoqëm stresin, Skënderbeu do të mbijetojë

Skënderbeu rigjeti më në fund fitoren dhe duket se suksesi ndaj Teutës e ka ndryshuar moralin te bardhekuqtë. Pas gati tre muajsh pa fitore, korçarët ia dolën të festonin me përmbysje ndaj Teutës. Edhe pse Skënderbeu mbetet në vend të fundit, duket se tani është ulur pak presioni dhe ka më shumë optimizëm.

Rabiu

Periudha e errët që po kalonte ekipi mund të lihet pas, por për këtë kërkohet vazhdimësi, ndaj dhe trajneri ka kërkuar që ekipi të qëndrojë me “këmbë në tokë”. Për mesfushorin Mario Rabiu, një nga më të mirët në ndeshjen e fundit, ekipi ka hequr stresin e akumuluar me fitoren ndaj Teutës. Sipas tij, tashmë lojtarët mund të shprehen lirisht në fushë. “Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, që ka kushtëzuar paraqitjet tona në lojë.

Kemi qenë të bllokuar dhe nuk kishim më besim se mund të arrinim të fitonim një ndeshje. Mungesa e gjatë e fitores krijoi një situatë të vështirë psikologjike, që na bllokoi edhe këmbët. Ishte shumë e rëndësishme fitorja me Teutën edhe nga mënyra sesi erdhi, ku ekipi reagoi pas golit të pësuar, çka tregon forcën e karakterit që kemi. E kishim punuar shumë atë ndeshje. Pas një kohe të gjatë pa fitore kishim turp të dilnim në qytet, sepse Korça nuk e meriton atë pozitë.

Punuam fort dhe lamë gjithçka pas krahëve për të bërë atë që dimë të bëjmë më mirë. Ndeshja nisi keq për ne, por besuam deri në fund. Duhej të fitonim me çdo kusht dhe besimi ynë u shpërblyem ndaj jemi të gjithë shumë të kënaqur. Të shpresojmë që me këtë rezultat pozitiv të kemi hedhur pas hijet e së kaluarës dhe të vijojmë të marrim pikë për të lënë vendin e fundit në renditje. Besojmë se mund t’ia dalim, sepse janë edhe shumë pikë në lojë dhe gjithçka mund të ndodhë në vazhdim të kampionatit”, tha Rabiu për “Panorama Sport”.

DINAMO – I ndalur më pas te përballja e dyfishtë me Dinamon, në kampionat dhe Kupë, nigeriani i Skënderbeut ka theksuar se sfidat duhen marrë me radhë. Edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje shumë të vështirë, Rabiu pretendon se Skënderbeu i ka mundësitë të bëjë surprizën ndaj kryeqytetasve. “Ndaj Dinamos do të duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e kampionatit si fillim, pasi kjo është më e rëndësishme për ne.

Duam të vijojmë me rezultatet pozitive dhe të kemi më shumë pikë në renditje. E dimë që Dinamo është një kundërshtar i fortë, por do të bëjmë maksimumin që të dalim me pikë nga kjo përballje. Jam i sigurt se Skënderbeu i ka mundësitë të marrë rezultat në këtë ndeshje, pse jo dhe atë maksimal. Duhet të jemi të përqendruar dhe të bashkuar si grup, për të njëjtin qëllim. Kjo do të na bëjë më të fortë. Besoj te forca e grupit dhe tek aftësitë që ka ekipi”, e mbyll prononcimin mesfushori i Skënderbeut.

BISMARK – Për ndeshjen e së shtunës korçarët do të kenë një mungesë të rëndësishme, atë të sulmuesit Çarls Bismark, i cili u ndëshkua me karton të kuq ndaj Teutës dhe është i skualifikuar. Trajneri Gjoka do të vendosë për zëvendësuesin e tij kundër Dinamos.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL