Propozohet ndryshimi i “Final Four”, FSHF takohet me drejtuesit e klubeve të Superiores
“Final Four” pritet të pësojë ndryshim rrënjësor në edicionin e ardhshëm, ndërsa FSHF do të njoftojë vendimin zyrtar në vazhdim. Kështu “Panorama Sport” mëson se nuk do të ketë gjysmëfinale dhe finale për të vendosur fituesin e kampionatit.

Në anën tjetër, sistemi i “Final Four” do të mbetet, por pëson ndryshim rrënjësor. Kështu në përfundim të 36 javëve do të luhen 6 ndeshje në total. Skuadrave do u përgjysmohen pikët dhe secili prej tyre do të ketë nga tre ndeshje.
Dhe sërish si në dy edicionet e fundit, përmes “Final Four” do të vendoset fituesi i kampionatit dhe skuadrat që shkojnë në Europë. Sot ishte takimi i parë mes klubeve në FSHF dhe ky ishte përfundimi.
Njoftimi i FSHF-së:
“Departamenti i Garave në FSHF zhvilloi paraditen e kësaj të shtune një takim konsultues me drejtues të klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore”, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në fokus të këtij takimi konsultues ishte diskutimi mbi një propozim për përmirësimin e skemës aktuale të “Final 4”, me qëllimin për të rritur më tepër rivalitetin dhe cilësinë në fazën përmbyllëse të kampionatit.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe mundësia për zhvillimin e mëtejshëm të këtij formati në aspekte sportive dhe komerciale, duke synuar një produkt më tërheqës për publikun dhe partnerët mediatikë.
Drejtuesit u njohën me këtë propozim, ndanë mendimin e tyre, teksa vendimi nëse do të ketë ndryshim apo jo në skemë do të komunikohet në vijim”.










PANORAMASPORT.AL













