Profili i Sokol Haxhisë te Partizani, drejtori që punoi në heshtje
Katër muaj, asnjë intervistë, punë dhe dorëheqje kur sheh se gjërat nuk shkuan si pritej. Ky ishte Sokol Haxhia te Partizani. I rikthyer pas 35 vitesh në Shqipëri, Haxhia erdhi në klubin ku pikërisht dikur u largua pasi ishte pjesë e moshave.

Nuk mbërriti si lojtar këtë herë, ndërsa presidenti Demi i besoi pozicionin e një drejtuesi. Kështu mori për herë të parë në karrierë rolin e drejtorit teknik. Për brezin e ri, ishte një emër i panjohur në skenën e futbollit shqiptar, por jo për ata që ndjekin prej vitesh tregun e transferimeve. Haxhia ka bërë emër më parë si menaxher. Te Partizani, nuk e kërkoi vëmendjen, dhe pse ajo të ndjek kur je pjesë e të kuqve. Ishte në klub që në mëngjes dhe qëndronte deri pasi skuadra përfundonte darkën.
Një prani që nuk ra në syrin e medias, por ndjehej kudo. Haxhia u bë pjesë e stafit me objektivin për të ndërtuar një model pune afatgjatë. Qëndroi si krah për Skënder Gegën dhe ndoqi gjithë fazën përgatitore në Ohër, për të parë gjendjen e prurjeve si dhe për të identifikuar nevojat. Firmat e para ku këmbënguli, janë ato të Dion Vatës dhe Elson Himallarit. Të dy 16-vjeçarë që tashmë janë aktivizuar edhe në Europë. Nuk ishin lëvizje të rastësishme, por rrjedhojë e një vëzhgimi të akademisë sapo u vendos në rolin e drejtorit teknik. Aty ra në sy edhe Tedi Malaj.
Haxhia i qëndroi besnik idesë për t’i dhënë peshë të rinjve, ndërsa në merkato loboi personalisht për emra ndërkombëtarë, si: Garsia, Martinez dhe Isgandarli. Të tre me profil në përfaqësueset respektive kombëtare. Për katër muaj punoi në një projekt që do vazhdojë rrugëtimin. Pas dështimit në Europë, ndryshimi i parë për strukturat e klubit ishte dorëheqja e Skënder Gegës. Një ditë më vonë, largimi i Haxhisë duket se mbylli përfundimisht një fazë që s’u konkretizua me sukses. Dhe pse nuk bëri mrekulli, mbolli disa fara që ndoshta në vijim do të japin fryte.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













