Pret Elbasanin, Jurgen Vrapi: Vora shpëton, e mbyll e shtata
Lidhur me tre ndeshjet e mbetura të Vorës dhe mënyrës se si kjo skuadër do t’i shpëtoj rrëzimit nga kategoria, për “Panorama Sport” do të shprehet në një prononcim të shkurtër, lojtari që zgjodhi Vorën, kur ky klub ishte pjesë e kategorisë së dytë. Ai është Jurgen Vrapi, 27-vjeçari kryeqytetas, që la superioren e Skënderbeut, për të ardhur tek Vora e kategorisë së dytë. Ku arsyeja e vetme, që ky futbollist talent i prodhimtarisë së Akademisë “KF Tirana” ishte projekti ambicioz i këtij klubi.

E tashmë ai është i lumtur për zgjedhjen largpamëse, që ka bërë me këtë klub. Askush nuk e imagjinonte në atë kohë, që Vora nga kategoria e dytë do të ngjitej në superiore brenda kontratës së tij 3-vjeçare të nënshkruar në fillimin e ardhjes pranë këtij klubi. Më pas ajo u rinovua edhe me një sezon, pas ngjitjes së Vorës dhe mund të zgjasë edhe më shumë, nëse Vora do të mbijetojë. E lojtari, që po rrit perfomancën çdo vit, ku këtë sezon po kulmon me një cilësi të jashtëzakonshme në rritje, e bën edhe më të qëndrueshëm nga ana e drejtuesve të Vorës për të mbajtur shërbimet e këtij futbollisti që u rrit, bashkë me Vorën.
Jurgen Vrapi, nga një sulmues i mirëfilltë në prodhimtarinë akademike, tani është shndërruar në një mbrojtës i majtë i pakalueshëm dhe mjaft impulsiv në sulm duke dhënë 2 asist goli në inkursionet e tij sulmuese. Ai ka luajtur këtë sezon 2553 minuta në 29 ndeshje aktivizim. Ai njëkohësisht ka qenë dhe një futbollist mjaft luftarak gjë që e kanë ndëshkuar 9 herë me kartonin e verdhë dhe dy herë me të kuqin. Lidhur me tre përballjet e fundit të Vorës dhe mënyrën se si Vora do të mbijetojë, përcakton dhe pozicionimin e saj në fund të kampionatit.
Vrapi, tre finale për Vorën, Elbasani, Dinamo e Bylis në radhë, si do të shpëtojë Vora? Vora shpëton duke fituar. Këtë e treguam edhe ndaj kampionëve, që kjo skuadër ka potencial dhe forcë për të mposhtur këdo kundërshtar që i del përpara. Kështu do të bëjmë dhe me këto tre finale, duke i marrë një e nga një. Së pari të fitojmë takimin e radhës e më pas do të mendojmë për dy finalet e tjera.
Çfarë pritet nga skuadra juaj, këtë të shtunë kundër Elbasanit? Te ne është rritur besueshmëria për të marrë maksimumin e pikëve, pasi vijmë me një moral të lartë, që nuk zbehet aspak nga ecuria e rivalëve tanë, pasi çdo gjë varet nga këmbët tona, nga vetë skuadra jonë. Ne mjafton të fitojmë çdo ndeshje të mbetur dhe ja kemi dalë të mbijetojmë. Të gjithë kemi besim të patundur se do të marrim maksimumin e pikëve edhe në këtë ndeshje kundër Elbasanit. Sigurisht që pitet të jetë një ndeshje mjaft e fortë, sepse një skuadër që arrin të kryesojë Superiore tregon se është nga skuadrat më të mira të kampionatit. E gjithçhka mbetet për t’u parë në fushën e lojës.
Së fundmi sa shanse ka Vora të mos dalë direkt nga kategoria, ose të shpëtojë edhe pa “play out”? E theksova më lart se nëse ne arrijmë të mposhtim këto tre skuadra, e padiskutueshme që Vora do ta mbyll e 7-ta kampionatin dhe shpëton pa kaluar as në provime mbijetese. Për këtë jam qind për qind i sigurt se do ja dalim me sukses. Duke shfrytëzuar potencialin e lojtarëve tanë, ndihmën e Zotit dhe fatin jam i sigurt, që Vora mbetet mesfushorja e Superiores, pra do të mbajë në përfundim të kampionatit, numrin 7.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













